Hashash, amfetaminë, MDMA dhe tetrahidrokanabinol janë gjetur te një shtetas gjerman dhe janë sekuestruar nga zyrtarët doganorë në pikën kufitare “Tabanoc”. Gjatë hyrjes në vend, automjeti i drejtuar nga shtetasi gjerman, i cili udhëtonte me bashkëshorten e tij, është përzgjedhur për kontroll. Rasti është dokumentuar me kamerat e trupit, të dhuruara nga Ministria e Drejtësisë e SHBA-së, transmeton Portalb.mk.
“Zyrtarët doganorë kanë gjetur një substancë me ngjyrë të gjelbër, të paketuar në një qese të zezë, një substancë dyllore të verdhë, të paketuar në kuti të zeza, drogë në formë karamelesh, si dhe grirëse dhe një peshore për matje të sakta. Është kryer edhe kontrolli personal i të dyshuarit, me ç’rast janë gjetur sasi shtesë të substancave me ngjyrë të gjelbër, një material pluhur i bardhë, xhel me ngjyrë të bardhë dhe tableta me ngjyrë portokalli dhe kafe”, njoftojnë nga Drejtoria e Doganave.
Personi është ndaluar, ndërsa ndaj tij është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Kumanovë për prodhim dhe lëshim të paautorizuar në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve. Është kryer edhe ekspertiza e substancave të gjetura, me ç’rast është përcaktuar përbërja e tyre.