Në lidhje me zhvillimet që kanë të bëjnë me Iva Mihajlovën, sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme u thirr ambasadori i Republikës së Bullgarisë, Zheljazko Radukov. MPJ tha se ambasadorit iu përcoll se mënyra se si Iva Mihajlova u prit në Sofje, përfshirë paralajmërimet për pritjen e saj në nivel të lartë, përbën provokim, minon përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe është në kundërshtim me angazhimet për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, transmeton Portalb.mk.
“Njëkohësisht, u theksua se një sjellje e tillë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin juridik të shtetit tonë dhe dërgon një mesazh seriozisht të gabuar sa i përket respektimit të procedurave gjyqësore dhe parimit të barazisë para ligjit. Përkatësia kombëtare ose posedimi i një shtetësie tjetër nuk duhet të shërbejnë si bazë për mbrojtje nga përgjegjësia para institucioneve kompetente”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Në takim, thotë MPJ, u theksua se nga Republika e Bullgarisë, si anëtare e Bashkimit Evropian, “presim veprim në përputhje me parimet themelore evropiane – respektimin e procedurave gjyqësore, bashkëpunimin institucional dhe sundimin e ligjit”.
“Ambasadorit iu bë e ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme do të ndërmarrë hapa përkatës për informimin e institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Në takim u theksua edhe një herë përkushtimi ynë për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, besimin dhe parimet evropiane, ndërsa të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi e presim edhe nga pala bullgare”, thuhet në njoftim.
Ministria e Punëve të Brendshme fillimsht tha se në pikën kufitare maqedonase nuk është evidentuar dalja e Iva Mihaillovës. Më pas në një njoftim shtesë, nga MPB thanë se, nuk është regjistruar as hyrja e saj legale në territorin e Bullgarisë. Këtë informacion MPB-ja e ka marrë përmes qendrës së përbashkët të kontaktit të të dyja vendeve, pas kontrolleve të kryera nga policia kufitare bullgare.
Lajmin se Mihailova e ka kaluar kufirin maqedono-bullgar e shoqëruar nga avokati i saj bullgar, Nikolaj Dimitrov, e publikoi mëngjesin e sotëm televizioni bullgar BTV. Në një deklaratë për këtë medium, Mihailova tha se, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, kishte vendosur të kthehej në Bullgari.
“E kaluam kufirin me avokatin tim. Shëndeti im u përkeqësua, ai më mori dhe u kthyem në Bullgari pa asnjë problem. Në kufi e tregova letërnjoftimin tim maqedonas. Ndihem e sigurt në Bullgari. Në Maqedoninë e Veriut isha e përndjekur për shkak të prejardhjes sime bullgare dhe kjo ishte një nga arsyet pse më akuzuan“, deklaroi Mihailova për BTV-në.
E pyetur nëse ka ndërmend të kthehet në Maqedoni për gjykimin, seanca e radhës e të cilit është caktuar për 9 nëntor, ajo u përgjigj:
“Rasti vazhdon me mua ose pa mua. Do të shohim se si do të jetë”.
Në një deklaratë për BTV-në, avokati i saj, Nikolaj Dimitrov, refuzoi të tregojë se në cilën pikë kufitare kishin kaluar, duke thënë se nuk dëshiron t’u shkaktojë probleme personave që, sipas tij, u kishin ndihmuar. Ai pranon se veprimet e tyre mund të përbëjnë shkelje të masave të shqiptuara ndaj Mihailovës, por thotë se, sipas tij, e drejta për t’u trajtuar nga ana mjekësore ishte parimi kryesor që e udhëhoqi marrjen e këtij vendimi.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë njoftoi se nuk ishte informuar paraprakisht për rastin dhe pretendon se nuk kishte marrë pjesë në organizimin e kthimit të të resë Iva në Bullgari.