Pjesa me shkrim e provimit të jurisprudencës duhet të jepet në gjuhën në të cilën studentët kanë përfunduar arsimin e lartë, ndërsa pjesa me gojë duhet të jetë në gjuhën maqedonase, si gjuhë zyrtare në sistemin e drejtësisë në Maqedoni. Këtë e deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve lidhur me kërkesat e studentëve që provimin e jurisprudencës ta japin tërësisht në gjuhën shqipe, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve të publikuara dje në disa media, studentët kanë reaguar dhe nuk e pranojnë zgjidhjen sipas së cilës 84 përqind e provimit do të jepej në gjuhën shqipe, por kërkojnë që kërkesa e tyre të përmbushet plotësisht.
Kryeministri tha se nuk e di se si janë llogaritur këto përqindje, pasi, sipas tij, qëndrimi i Qeverisë është i qartë.
“Sistemi i drejtësisë në Maqedoni është një gjë, ndërsa e drejta për të përfunduar arsimin e lartë në gjuhën amtare është tjetër gjë. Askush nuk e konteston të drejtën për ta përfunduar arsimin e lartë në gjuhën në të cilën shteti e ka mundësuar këtë. Në Maqedoni, arsimi i lartë në fakultetet juridike zhvillohet në tri gjuhë të tjera, përveç maqedonishtes”, tha ai në aktivitetin për promovimin e furnizimit me 100 autoambulanca të reja.
Ai theksoi se, sipas Qeverisë, është e arsyeshme që pjesa me shkrim të jepet në gjuhën në të cilën është zhvilluar arsimi, ndërsa pjesa me gojë, gjatë së cilës simulohen një kontest civil dhe një kontest penal, të zhvillohet në gjuhën maqedonase, pasi kjo paraqet një simulim para sistemit të drejtësisë.
“Në sistemin e drejtësisë kemi parimin franca lingua, përkatësisht përdorimin e një gjuhe të përbashkët, ndërsa në Maqedoni kjo gjuhë është maqedonishtja”, tha kryeministri.
Ai iu referua edhe rekomandimit të Komisionit të Venecias lidhur me atë që e quajti Ligji i atëhershëm për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar se duhet të respektohen mendimet e institucioneve ndërkombëtare.
“Prandaj, sistemi i drejtësisë në Maqedoni mbetet me franca lingua, përkatësisht gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare”, shtoi Mickoski.
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke komentuar dje ndryshimet e propozuara lidhur me përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, tha se zgjidhjet ligjore nuk do të miratohen pas dyerve të mbyllura dhe se studentët e fakultetet nuk do të vihen para një akti të kryer.
Sipas tij, qëllimi i takimit ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë, fakulteteve juridike dhe studentëve është që, përmes dialogut konsultativ, të shqyrtohen ndryshimet e propozuara, të dëgjohen qëndrimet e komunitetit akademik dhe të studentëve, si dhe të merren parasysh vërejtjet dhe propozimet e tyre para se të merret vendimi përfundimtar.
“Qëllimi ynë është të arrijmë një zgjidhje moderne, juridikisht të qëndrueshme dhe të orientuar drejt Evropës, e cila do të marrë parasysh nevojat e të gjithë studentëve që e fitojnë arsimin e lartë juridik në gjuhë të ndryshme”, tha ai.
Siç shtoi ministri, ndryshimet nuk synojnë krijimin e sistemeve paralele për dhënien e provimit të jurisprudencës, por vendosjen e një modeli të vetëm, në të cilin përfshirja gjuhësore dhe standardet profesionale plotësojnë njëra-tjetrën.
Ai paralajmëroi se do të kërkojë mendim nga Komisioni i Venecias për ndryshimet e propozuara lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Qëllimi, siç tha, është të sigurohet siguri juridike shtesë dhe harmonizim me standardet evropiane.
Pas takimit të ministrit të Drejtësisë me përfaqësuesit e fakulteteve juridike dhe studentët, ku u diskutua çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, dje reagoi edhe opozitarja Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Nga kjo parti vlerësojnë se studentëve nuk u nevojiten kompromise që ua rrezikojnë të drejtat.
“Propozimi i ministrit të Drejtësisë është skandaloz. Në vend që të kërkojë zbatimin e qëndrueshëm të ligjit dhe respektimin e Kushtetutës, ai u thotë studentëve: ‘Hajde të merremi vesh ta shkelim Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, ta shkelim Kushtetutën dhe provimi të jepet pjesërisht në shqip e pjesërisht në maqedonisht’. Ky qëndrim është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë që vetë ministri deklaroi vetëm disa muaj më parë. Megjithatë, sapo mori detyrën, ai nxori nga sirtari propozimin e Karakamishevës dhe tani e mbron me fanatizëm – pikërisht para studentëve, të cilëve dje ua njihte të drejtat, ndërsa tani po përpiqet t’ua mohojë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
- LEXO: Studentët paralajmëruan protestë, nuk e pranuan propozimin e Shasivarit për jurisprudencën
- LEXO: Studentët kundër propozimit “12 me 2” për jurisprudencën: Të mbahet 100% në shqip, kërkojmë zbatimin e Ligjit për gjuhët
Kujtojmë se deputetja Saranda Imeri Stafai në TV Shenja tha se provimi do të jepet në gjuhën shqipe edhe në pjesën praktike.
“Për herë të parë, pas gjashtë dekadash, studentët do ta japin provimin në gjuhën shqipe. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një provim. Njëmbëdhjetë lëndë do të jepen në gjuhën shqipe, edhe pjesa praktike”, tha ajo.
Së pari, zëvendëskryeministri Bekim Sali, premtoi se çështja do të zgjidhej brenda një jave, më pas afati u shty për në shtator, ku Sali tha se në shtator do ta kemi ligjin e miratuar me ndryshimet e nevojshme, ndërsa sot ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se në pjesën e parë të tetorit do t’i ftojë studentët për t’ua prezantuar zgjidhjen e provimit të Jurisprudencës.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.
Kërkesën për dhënie të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe studentët e artikuluan edhe përmes disa protestave në Shkup, ndërsa mbështetje morën edhe nga kolegët e tyre nga Prishtina dhe Tirana.
- LEXO: RMV, studentët nuk lëshojnë pe për provimin e jurisprudencës, Shasivari në sprovë
- LEXO: Premtim i ri në horizont, Saranda Imeri: Provimi i jurisprudencës do të jetë në shqip edhe pjesa teorike edhe ajo praktike
- LEXO: Provimi i jurisprudencës kërkohet në disa gjuhë, Shasivari: Në tetor do ta demonstrojmë zgjidhjen, reaguan studentët
- LEXO: Premtim i ri në horizont, Saranda Imeri: Provimi i jurisprudencës do të jetë në shqip edhe pjesa teorike edhe ajo praktike
- LEXO: Jurisprudenca ende pa zgjidhje, nga shtatori i Salit tani kaloi te tetori i Shasivarit
- LEXO: Nga “brenda një jave” e Salit te “së shpejti” e Gashit, studentët e UT-së kërkojnë provime në shqip