Studentët kundër propozimit “12 me 2” për jurisprudencën: Të mbahet 100% në shqip, kërkojmë zbatimin e Ligjit për gjuhët

Përfaqësuesi i studentëve Mevlan Ademi, pas takimit me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, e cilësoi si fitore të lëvizjes studentore zgjidhjen e arritur, por theksoi se studentët vazhdojnë të kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet tërësisht në gjuhën shqipe, në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, raporton Portalb.mk.

Ademi tha se zgjidhja e ofruar fillimisht ishte e pjesshme, duke paraparë 12 provime, prej të cilave 10 në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën maqedonase.

Ai shprehu keqardhje që, sipas tij, ende insistohet që çështja të dërgohet në Komisionin e Venecias, si dhe që propozimi ligjor të miratohet në Kuvend, duke vlerësuar se në këtë mënyrë nuk respektohet Ligji për përdorimin e gjuhëve.

“Kjo që u arrit sot ishte, unë do të thoja, si një fitore e lëvizjes studentore, nga një zgjidhje gjysma ke që u ofrua në fillim, u ofrua një zgjidhje prej 12 provimeve, 10 në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën maqedonase. Fatkeqësisht insistohet ende insistohet për dërgesën e kësaj në Komisionin Venecian, fatkeqësisht insistohet që ky propozim ligjor që miratohet në Kuvend dhe në këtë mënyrë nuk respektohet ligji për përdorimin e gjuhëve. Ne e bëmë gjatë takimit të qartë me ministrin Shasivari, që po insistojmë që provimi i jurisprudencës të jetë 100% dhe Ligji i gjuhëve të zbatohet”, tha Ademi.

Model i ri “84% shqip me 16% maqedonisht” i propozuar nga Ministria e Drejtësisë është vënë sot në tryezën e bisedimeve me kryetarët e forumeve studentore të Universitetit “Nënë Tereza”, UEJL-së, UNT-së e të tjerë. Mesditën e së hënës, takimin me Shasivarin që zgjati rreth dy orë, studentët e quajtën të suksesshëm por pa marrëveshje.

Pritet të mbahet takim tjetër, përndryshe studentët do të dalin në protestën e pestë deri në arritjen e 100%, siç thonë ata për zbatimin e të drejtës ligjore të përdorimit të gjuhës shqipe.

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, para takimit, edhe pse tha se ka një model për zgjidhjen e çështjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, nuk e prezantoi atë para opinionit. Në konferencën për shtyp, ai deklaroi se fillimisht modelin do ta diskutojë me studentët dhe përfaqësuesit e fakulteteve juridike, ndërsa paralajmëroi se do të kërkojë edhe mendim nga Komisioni i Venedikut.

Së pari, zëvendëskryeministri Bekim Sali, premtoi se çështja do të zgjidhej brenda një jave, më pas afati u shty për në shtator, ku Sali tha se në shtator do ta kemi ligjin e miratuar me ndryshimet e nevojshme, ndërsa sot ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se në pjesën e parë të tetorit do t’i ftojë studentët për t’ua prezantuar zgjidhjen e provimit të Jurisprudencës.

Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.

Kërkesën për dhënie të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe studentët e artikuluan edhe përmes disa protestave në Shkup, ndërsa mbështetje morën edhe nga kolegët e tyre nga Prishtina dhe Tirana.

Gjuha shqipeJeton ShasivariJurisprudencaMinistria e Drejtësisë (MD)Studentë