Ministri i Drejtësisë në RMV, Jeton Shasivari të hënën në takim studentëve të pesë fakulteteve juridike dhe dekanëve do t’ua prezantojë zgjidhjen për dhënie të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, njofton Portalb.mk.
Megjithatë, ende nuk dihet se nëse Qeveria dhe studentët do të merren vesh, pasi studentët tashmë një herë e refuzuan me shpejtësi propozimin që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën maqedonase edhe në atë shqipe.
Ata mbeten në qëndrimin se provimi i jurisprudencës, por edhe provimet për noterë, përmbarues dhe për çdo provim tjetër shtetëror, të jepet vetëm në gjuhën shqipe, duke u thirrur në Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Propozim-ligji, sipas burimeve nga pushteti, pritet që të martën të kalojë në seancë të Qeverisë.
Përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, pret që në takimin e së hënës të përballet me profesorin Shasivari, e jo me ministrin, duke rikujtuar qëndrimet e tij të mëparshme në mbështetje të të drejtave gjuhësore të studentëve shqiptarë. Ademi të premten gjatë intervistës në Alsat, theksoi se Shasivari, para se të merrte detyrën e ministrit, kishte deklaruar se studentëve shqiptarë po u mohohej një e drejtë kushtetuese. Nisur nga kjo, ai ngriti dilemë nëse kanë ndryshuar qëndrimet e ministrit apo dispozitat ligjore dhe kushtetuese që garantojnë barazinë gjuhësore në vend.
“Shpresoj ditën e hënë të mos e takoj ministrin Shasivari, por profesorin Shasivari, i cili para se të bëhej ministër mbante një qëndrim shumë korrekt ndaj studentëve me qëndrimet e tij, me ato që i thoshte. Ai vetë tha se z. Fillkov e ka pasur shansin që ai të arrij një barazi gjuhësore në RMV, duke u bazuar në Kushtetutë dhe ligj, ishte ai që e tha këtë. Ishte ai që tha se studentëve shqiptarë u mohohet e drejta kushtetuese. Sot a ndryshoi figura aty, apo ndryshoi ligji e kushtetuta”, deklaroi Ademi.
Ndryshe nga sa u paralajmërua, që provimi i jurisprudencës do të jepet në shqip vetëm pjesa teorike, deputetja Saranda Imeri Stafai në TV Shenja tha se provimi do të jepet në gjuhën shqipe edhe në pjesën praktike.
“Për herë të parë, pas gjashtë dekadash, studentët do ta japin provimin në gjuhën shqipe. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një provim. Njëmbëdhjetë lëndë do të jepen në gjuhën shqipe, edhe pjesa praktike”, tha ajo.
Së pari, zëvendëskryeministri Bekim Sali, premtoi se çështja do të zgjidhej brenda një jave, më pas afati u shty për në shtator, ku Sali tha se në shtator do ta kemi ligjin e miratuar me ndryshimet e nevojshme, ndërsa sot ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se në pjesën e parë të tetorit do t’i ftojë studentët për t’ua prezantuar zgjidhjen e provimit të Jurisprudencës.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.
Kërkesën për dhënie të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe studentët e artikuluan edhe përmes disa protestave në Shkup, ndërsa mbështetje morën edhe nga kolegët e tyre nga Prishtina dhe Tirana.
- LEXO: Provimi i jurisprudencës kërkohet në disa gjuhë, Shasivari: Në tetor do ta demonstrojmë zgjidhjen, reaguan studentët
- LEXO: Premtim i ri në horizont, Saranda Imeri: Provimi i jurisprudencës do të jetë në shqip edhe pjesa teorike edhe ajo praktike
- LEXO: Jurisprudenca ende pa zgjidhje, nga shtatori i Salit tani kaloi te tetori i Shasivarit
- LEXO: Nga “brenda një jave” e Salit te “së shpejti” e Gashit, studentët e UT-së kërkojnë provime në shqip
- LEXO: Bllokadë e re politike apo kompromis, çfarë do të sjellë Ligji për përfaqësim të drejtë në vjeshtë?
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë nuk u vendos në votim, opozita vijoi me akuza
- LEXO: Me cilin Badenter (nuk) duhet të miratohet Ligji për përfaqësim të drejtë?
- LEXO: BDI-ja dhe VLEN-i u përplasën për Ligjin për përfaqësim të drejtë