Kuvendi Studentor i Universitetit të Tetovës kërkon që provimi i jurisprudencës, provimi për noterë, përmbarues dhe provimet e tjera shtetërore profesionale të mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe. Kërkesa është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa çështja vjen në një kohë kur në Kuvend mbeten të bllokuara edhe ligjet për arsimin e lartë dhe për përfaqësimin e drejtë, shkruan Portalb.mk.
“Nuk është e pranueshme që studentët që studiojnë në gjuhën shqipe të përballen me kushte të ndryshme gjatë përfundimit të procesit të tyre profesional. Gjuha e studimit duhet të jetë edhe gjuha në të cilën studenti ka mundësi të japë provimet profesionale shtetërore”, theksohet në kërkesën e Kuvendit Studentor, të dorëzuar sot në Ministrinë e Drejtësisë.
Studentët thonë se këtë çështje e kanë adresuar disa herë gjatë dy viteve të fundit te Ministria e Drejtësisë dhe institucionet tjera kompetente, por deri tani nuk është gjetur zgjidhje konkrete.
Sipas tyre, fakti që provimet zhvillohen vetëm në gjuhën maqedonase krijon vështirësi shtesë dhe pabarazi për studentët shqiptarë që studimet i ndjekin në gjuhën shqipe.
Kryetari i Kuvendit Studentor, Gent Kurtishi, e lidh këtë kërkesë me respektimin e së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe, parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit, duke kërkuar zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, veçanërisht nenit 23, paragrafët 4 dhe 5.
Studentët vlerësojnë se ekzistojnë bazat ligjore dhe mundësitë praktike që provimi i jurisprudencës, si dhe provimet e tjera shtetërore profesionale, të organizohen në gjuhën shqipe dhe maqedonase, si në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike.
Sipas tyre, një zgjidhje e tillë do të garantonte kushte të barabarta për të gjithë kandidatët dhe do t’ua lehtësonte rrugëtimin drejt ushtrimit të profesioneve juridike, punësimit dhe zhvillimit profesional.
Kuvendi Studentor i ka bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të ndërmarrë masat e nevojshme dhe të japë një zgjidhje konkrete për këtë çështje.
Nga “brenda një jave” te “së shpejti”
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se sipas asaj që është i informuar edhe nga ministri i Drejtësisë, po punohet intensivisht për gjetjen e një zgjidhjeje ligjore për çështjen e provimit të jurisprudencës.
Gashi u shpreh shkurt për këtë çështje, duke thënë se sipas informacioneve që ka marrë nga ministri i Drejtësisë, institucionet janë duke punuar për një zgjidhje ligjore.
“Po punohet intensivisht në gjetjen e një zgjidhjeje ligjore. Sipas asaj që jam i informuar nga ministri, është në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje ligjore”, tha Gashi.
Ai shtoi se pret që çështja të marrë një epilog së shpejti.
“Është në rrugë të mbarë dhe shumë shpejt do të ketë zgjidhje”, deklaroi kryetari i Kuvendit.
Një qasje e tillë ngjan me premtimin e mëhershëm të Bekim Salit për zgjidhje “shumë shpejt”, i cili fillimisht premtoi se çështja do të zgjidhej brenda një jave, por më pas afatin e zhvendosi për në shtator.
- LEXO: Bllokadë e re politike apo kompromis, çfarë do të sjellë Ligji për përfaqësim të drejtë në vjeshtë?
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë nuk u vendos në votim, opozita vijoi me akuza
- LEXO: Me cilin Badenter (nuk) duhet të miratohet Ligji për përfaqësim të drejtë?
- LEXO: BDI-ja dhe VLEN-i u përplasën për Ligjin për përfaqësim të drejtë