Premtim i ri në horizont, Saranda Imeri: Provimi i jurisprudencës do të jetë në shqip edhe pjesa teorike edhe ajo praktike

Premtim i ri është shfaqur në horizont. Ndryshe nga sa u paralajmërua, që provimi i jurisprudencës do të jepet në shqip vetëm pjesa teorike, deputetja Saranda Imeri Stafai në emisionin Debat në Shenja tha se provimi do të jepet në gjuhën shqipe edhe në pjesën praktike. Ajo shtoi se gjatë javës së ardhshme pritet të mbahet një takim mes ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari dhe studentëve, ku do të prezantohen metodologjia dhe procedura e dhënies së provimit, transmeton Portalb.mk.

“Për herë të parë, pas gjashtë dekadash, studentët do ta japin provimin në gjuhën shqipe. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një provim. Njëmbëdhjetë lëndë do të jepen në gjuhën shqipe, edhe pjesa praktike”, tha ajo.

Deri tani, është premtuar që provimi të jepet në shqip, por vetëm pjesa teorike, ndërsa ajo praktike në maqedonisht përshkak të lëndëve që janë në po të njëjtën gjuhë.

Zgjidhja për provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe është shtyrë disa herë. Çështja vazhdon të zvarritet në labirintet institucionale të vendit. Partia në pushtet ka shtyrë vazhdimisht afatet për zgjidhjen e çështjes së provimit të Jurisprudencës.

Së pari, zëvendëskryeministri Bekim Sali, premtoi se çështja do të zgjidhej brenda një jave, më pas afati u shty për në shtator, ku Sali tha se në shtator do ta kemi ligjin e miratuar me ndryshimet e nevojshme, ndërsa sot ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se në pjesën e parë të tetorit do t’i ftojë studentët për t’ua prezantuar zgjidhjen e provimit të Jurisprudencës.

Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.

Gjuha shqipeJeton ShasivariJurisprudencaMinistria e Drejtësisë (MD)