Universiteti “Goce Dellçev” ua pezulloi marrëdhënien e punës dy të punësuarve të dyshuar për keqpërdorime

Marrëdhënia e punës e dy të punësuarve në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, ndaj të cilëve Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka nisur procedurë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim kompjuterik, është pezulluar, njoftojnë nga universiteti. Gjithashtu, atyre u është hequr edhe qasja në sistemin elektronik, transmeton Portalb.mk.

Të dyshuar janë dy persona: udhëheqësi i sektorit për “E-indeks” në Universitet dhe referentja për çështje studentore në njërin prej fakulteteve të UGD-së.

Në njoftimin e UGD-së thuhet se, në përputhje me dispozitat ligjore, vendet e punës të dy të punësuarve janë vënë menjëherë në pezullim dhe atyre u janë hequr plotësisht të gjitha privilegjet e qasjes në sistem, përfshirë ato administrative, në sistemin elektronik të dosjeve studentore. Sipas universitetit, kjo masë do të jetë në fuqi deri në zbardhjen e plotë të rastit.

“Verifikimi është përqendruar në një numër të kufizuar rastesh që lidhen me procedurat e regjistrimit të studentëve. Në këtë kontekst, dëshirojmë ta sigurojmë opinionin se dosjet dhe evidenca e studentëve jashtë këtyre rasteve nuk janë prekur. Të gjitha të dhënat eventualisht të futura në mënyrë të paligjshme nga personat e dyshuar janë pjesë e hetimit dhe do të trajtohen në mënyrë përkatëse pas përfundimit të hetimit nga organet kompetente”, thonë nga UGD-ja.

Nga universiteti shtojnë se sistemi elektronik i UGD-së posedon mekanizma të sofistikuar digjitalë dhe regjistrime që evidentojnë të gjitha ndërhyrjet, përmes të cilave mund të përcaktohet përgjegjësia eventuale individuale.

Universiteti thekson se mbetet në bashkëpunim të plotë dhe të hapur me Prokurorinë Themelore Publike dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme deri në zbardhjen përfundimtare të rastit. Siç thonë, nuk do të japin komente lidhur me procedurën derisa ajo të jetë në zhvillim.

“UGD-ja mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të saj themelore akademike dhe e dimë se zgjidhja e dukurive devijuese mund të jetë e vështirë, por jemi të bindur se kjo është e vetmja rrugë e drejtë për mbrojtjen e cilësisë së arsimit të lartë”, shtojnë nga universiteti, duke i ftuar të gjithë studentët, profesorët dhe të punësuarit që t’i raportojnë lirisht dhe në mënyrë anonime të gjitha dyshimet për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare.

Ndryshe, dy të punësuarve të UGD-së në Shtip, më 4 nëntor u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tetë ditësh.

Keqpërdorim i pozitës zyrtareShtipiUniversitet(e)