Për vendosjen e byzylykëve elektronikë mungojnë paratë, mbi 1.000 dhunues do të mbikëqyreshin

Si te pushteti, ashtu edhe te opozita ekziston vullneti për vendosjen e byzylykëve elektronikë për gjurmimin e dhunuesve, ndaj të cilëve gjykata shqipton masa ndalimi për t’iu afruar viktimave. Megjithatë, arsyeja pse këto ndryshime ligjore nuk po miratohen në Kuvend është se kërkohen shumë para, infrastrukturë e gjerë, zyrtarë policorë të angazhuar vetëm për këtë mbikëqyrje, trajnim për ta, automjete dhe byzylykë elektronikë krejtësisht të rinj, transmeton Portalb.mk.

Byzylykët që aktualisht i ka Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve për të burgosurit që e vuajnë dënimin në shtëpi, nuk mund të përdoren për këtë qëllim, sepse byzylykët për gjurmimin e dhunuesve dhe ata për mbikëqyrjen e arrestit shtëpiak janë krejtësisht të ndryshëm, thotë për “Slloboden Peçat” Aleksandar Pandov, drejtues i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve.

Sipas tij, vlerësimet tregojnë se në Maqedoni më shumë se 1.000 persona duhet të pajisen me byzylykë elektronikë të këtij lloji për mbikëqyrje, gjë që kërkon infrastrukturë të madhe, të cilën vendi aktualisht nuk e posedon.

Sipas burimeve të “Slloboden Peçat” nga partia në pushtet, në shumë raste është diskutuar në nivel të strukturave të larta të Ministrisë së Punëve të Brendshme se çfarë nevojitet për vendosjen e një sistemi për mbikëqyrjen e dhunuesve, por problemi çdo herë ka qenë mungesa e parave.

Edhe deputetë të VMRO-DPMNE-së, me të cilët ka biseduar “Slloboden Peçat”, thonë se qëllimi nuk është vetëm miratimi i ligjit, por edhe zbatimi i tij.

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Zhaklina Peshevska, thotë për “Slloboden Peçat” se nuk është kundër byzylykëve elektronikë, por dëshiron që ligji, pasi të miratohet, të zbatohet në praktikë.

“Nuk jam kundër byzylykëve. Por çështja është se nuk mund të themi se kjo nuk do të ketë implikime financiare. Nuk do të mund të zbatohet pa një sistem. Nuk është se e kemi refuzuar propozimin, por thjesht nuk kemi votuar për të. Për këtë nevojiten shumë para”, tha deputetja.

Monika Zajkova, deputete e Partisë Liberal-Demokratike (LDP), thotë se së shpejti do të propozojë për herë të tretë në Kuvend ndryshime në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje. Me këto ndryshime ajo do të kërkojë që çdo dhunues, ndaj të cilit gjykata shqipton masë ndalimi për t’iu afruar viktimës në një distancë prej 100 metrash, të detyrohet të mbajë byzylyk elektronik.

Nëse dhunuesi e shkel ndalimin, byzylyku duhet të aktivizohet dhe policia duhet të niset menjëherë drejt vendit ku ndodhet ai, për ta arrestuar. Nisma e Zajkovës vjen për herë të tretë. Herën e parë ajo e propozoi pas femicidit të Rosicës, ndërsa herën e dytë pas tragjedisë në Koçan. Byzylyku elektronik duhet ta paralajmërojë viktimën dhe t’i alarmojë institucionet kompetente kur dhunuesi i afrohet më shumë se distanca e përcaktuar me ligj.

“Propozimi është dërguar për përpunim nomoteknik dhe këtë herë do t’ia bashkëngjis edhe peticionin, të cilin deri më tani e kanë nënshkruar mbi 14 mijë qytetarë që e mbështesin dhe kërkojnë vendosjen e këtyre byzylykëve”, deklaroi Zajkova për “Slloboden Peçat”.

Spanja është pioniere dhe shembull botëror në përdorimin e byzylykëve elektronikë për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Sistemi i saj konsiderohet ndër më të suksesshmit në botë dhe zbatohet prej 17 vitesh, përkatësisht është vendosur në vitin 2009.

Megjithatë, këta byzylykë nuk janë të njëjtë me ata që përdoren nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve për personat në arrest shtëpiak. Në Spanjë, dhunuesi e mban byzylykun rreth kyçit të këmbës, ndërsa viktima mban vazhdimisht me vete një pajisje të vogël marrëse me GPS.

Nëse dhunuesi i afrohet viktimës, pajisja e paralajmëron atë që të largohet nga vendi ku ndodhet dhe të dalë jashtë perimetrit të sigurisë. Në të njëjtën kohë, qendra policore për ndërhyrje emergjente merr automatikisht një alarm dhe dërgon patrullën në vendngjarje për ta arrestuar autorin.

Byzylykët e Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve nuk funksionojnë në këtë mënyrë, por janë të destinuar vetëm për mbikëqyrjen e personave në shtëpi. Ata sinjalizojnë kur personi që e vuan dënimin me burg në shtëpi largohet nga banesa. Në rastin e dhunuesve në familje, atyre nuk u ndalohet të dalin nga shtëpia, por vetëm t’i afrohen viktimës.

Prandaj, 300 byzylykët që ndodhen në depon e Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve dhe janë në pronësi të saj nuk mund të përdoren për dhunuesit. Për këtë arsye do të nevojitet një zë i ri buxhetor.

Ideja për vendosjen e byzylykëve elektronikë për dhunuesit u rikthye në vëmendje pas femicidit të Biljana Kiriqit nga Bogdanci, e cila u dogj në veturë nga partneri i saj, nga i cili po përpiqej të ndahej. Partneri më vonë i dha fund jetës. Ajo ishte vetëm 17 vjeçe.

Më herët, në Veles, nga partneri i saj u vra edhe 31-vjeçarja Rosica Koceva, e cila gjithashtu po përpiqej të ndahej nga partneri i saj, por pa sukses.

Të dyja gratë e kishin raportuar më parë dhunën në polici.

Dhuna familjareDhuna ndaj gravePartia Liberal Demokrate (PLD)Peticion