Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, edhe pse tha se ka një model për zgjidhjen e çështjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, nuk e prezantoi atë para opinionit. Në konferencën për shtyp, ai deklaroi se fillimisht modelin do ta diskutojë me studentët dhe përfaqësuesit e fakulteteve juridike, ndërsa paralajmëroi se do të kërkojë edhe mendim nga Komisioni i Venedikut, raporton Portalb.mk.
Shasivari tha se synimi është të gjendet një zgjidhje që respekton të drejtën për arsimim në gjuhë të ndryshme, duke ruajtur njëkohësisht standardet profesionale dhe një sistem të unifikuar të provimit. Megjithatë, ai nuk dha hollësi se si do të funksionojë modeli, cilat pjesë të provimit do të mund të zhvillohen në shqip dhe nëse do të ketë kufizime për pjesën praktike.
I pyetur nga gazetarët pse nuk e përmendi shprehimisht gjuhën shqipe në deklaratën e tij, Shasivari u përgjigj se ajo përfshihet në formulimin “gjuhë tjetër”.
“Kur thuhet gjuhë tjetër, aty nënkuptohet gjuha shqipe”, tha Shasivari, duke sqaruar se formulimi ligjor përfshin edhe programet e akredituara të studimeve juridike në gjuhë të tjera, si anglishtja dhe turqishtja.
Gazetarët e pyetën gjithashtu për modelin e prezantuar më herët nga Bekim Sali, sipas të cilit teoria e provimit do të jepej në shqip, ndërsa pjesa praktike në maqedonisht. Duke rikujtuar se studentët e kanë kundërshtuar këtë propozim, ata e pyetën ministrin nëse ekziston një alternativë. Shasivari nuk tregoi nëse modeli i Salit është pjesë e zgjidhjes që po shqyrtohet, por tha se fillimisht propozimi i tij do t’u prezantohet universiteteve dhe studentëve.
“Fillimit ta prezantojmë modelin para universiteteve, studentëve, pas takimit janë të lirë të prononcohen të gjithë për modelin e propozuar”, tha ai.
Ministri paralajmëroi se do të kërkojë një mendim nga Komisioni i Venecias, por nuk bëri të ditur se kur do t’i drejtohet këtij institucioni dhe kur do ta bëjë publik modelin.
“Parashikojmë të kërkojmë edhe një mendim në afat të shkurtë nga Komisioni i Venecias si organi më prestigjioz, këshillëdhënës evropian për çështje kushtetuese dhe juridike. Për zgjidhjet konkrete dhe mënyrën e funksionimit të tyre, sot fillimisht do të diskutojmë me studentët dhe përfaqësuesit e fakulteteve. Fillimisht t’i dëgjojmë ata që preken më drejtpërdrejt nga kjo çështje, ti shqyrtojmë[ argumentet e tyre dhe më pas të informomë hollësisht opinionin për hapat e ardhshëm”, tha Shasivari.
Pra, Shasivari thotë se ka një model, por për momentin nuk e ka bërë publik përmbajtjen e tij. Mbetet të shihet nëse propozimi do t’u përgjigjet kërkesave të studentëve shqiptarë dhe si do të zgjidhet çështja e gjuhës në pjesën teorike dhe praktike të provimit të jurisprudencës.
Pas takimit me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, përfaqësuesit e Lëvizjes Studentore deklaruan se nuk janë të kënaqur me zgjidhjen e propozuar për provimin e jurisprudencës dhe se nuk kanë arritur marrëveshje me ministrin. Përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, tha para mediave se nëse propozimi miratohet në Kuvend, ata nuk do ta pranojnë dhe do të protestojnë.
Ademi bëri të ditur se ministri i Drejtësisë ka propozuar që 12 provime të mbahen në gjuhën shqipe, ndërsa dy në gjuhën maqedonase. Sipas studentëve, kjo nuk përbën zgjidhje të plotë dhe nuk i përmbush kërkesat e tyre për dhënien e provimit të jurisprudencës tërësisht në gjuhën shqipe.
Ai kritikoi faktin që, sipas tij, ende po kërkohet mendimi i Komisionit të Venedikut, ndërsa pretendoi se Parlamenti Evropian ka dhënë qëndrimin e tyre se provimet shtetërore mund të mbahen edhe në gjuhën shqipe.
“Ky propozim ligjor, nëse miratohet në Kuvend, nuk e respekton Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe bën shkelje të ligjit aktual. Ne e bëmë të qartë se provimi i jurisprudencës duhet të mbahet 100 për qind në gjuhën shqipe, të zbatohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe të respektohet Marrëveshja e Ohrit”, u shpreh Ademi.
Kujtojmë se ndryshe nga sa u paralajmërua, që provimi i jurisprudencës do të jepet në shqip vetëm pjesa teorike, deputetja Saranda Imeri Stafai në TV Shenja tha se provimi do të jepet në gjuhën shqipe edhe në pjesën praktike.
“Për herë të parë, pas gjashtë dekadash, studentët do ta japin provimin në gjuhën shqipe. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një provim. Njëmbëdhjetë lëndë do të jepen në gjuhën shqipe, edhe pjesa praktike”, tha ajo.
Së pari, zëvendëskryeministri Bekim Sali, premtoi se çështja do të zgjidhej brenda një jave, më pas afati u shty për në shtator, ku Sali tha se në shtator do ta kemi ligjin e miratuar me ndryshimet e nevojshme, ndërsa sot ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se në pjesën e parë të tetorit do t’i ftojë studentët për t’ua prezantuar zgjidhjen e provimit të Jurisprudencës.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.
Kërkesën për dhënie të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe studentët e artikuluan edhe përmes disa protestave në Shkup, ndërsa mbështetje morën edhe nga kolegët e tyre nga Prishtina dhe Tirana.
- LEXO: RMV, studentët nuk lëshojnë pe për provimin e jurisprudencës, Shasivari në sprovë
- LEXO: Premtim i ri në horizont, Saranda Imeri: Provimi i jurisprudencës do të jetë në shqip edhe pjesa teorike edhe ajo praktike
- LEXO: Provimi i jurisprudencës kërkohet në disa gjuhë, Shasivari: Në tetor do ta demonstrojmë zgjidhjen, reaguan studentët
- LEXO: Premtim i ri në horizont, Saranda Imeri: Provimi i jurisprudencës do të jetë në shqip edhe pjesa teorike edhe ajo praktike
- LEXO: Jurisprudenca ende pa zgjidhje, nga shtatori i Salit tani kaloi te tetori i Shasivarit
- LEXO: Nga “brenda një jave” e Salit te “së shpejti” e Gashit, studentët e UT-së kërkojnë provime në shqip