Jurisprudenca ende pa zgjidhje, nga shtatori i Salit tani kaloi te tetori i Shasivarit

Zgjidhja për provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe shtyhet sërish. Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot nga foltorja e Kuvendit deklaroi se në pjesën e parë të tetorit do t’i ftojë studentët për t’ua prezantuar zgjidhjen e propozuar, ndërsa më herët nga partia e tij ishte paralajmëruar se çështja do të zgjidhej gjatë muajit shtator, shkruan Portalb.mk.

Çështja e provimit të jurisprudencës vazhdon të zvarritet në labirintet institucionale të vendit. Partia në pushtet ka shtyrë vazhdimisht afatet për zgjidhjen e çështjes së provimit të Jurisprudencës.

Së pari, zëvendëskryeministri Bekim Sali, premtoi se çështja do të zgjidhej brenda një jave, më pas afati u shty për në shtator, ku Sali tha se në shtator do ta kemi ligjin e miratuar me ndryshimet e nevojshme, ndërsa sot ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se në pjesën e parë të tetorit do t’i ftojë studentët për t’ua prezantuar zgjidhjen e provimit të Jurisprudencës.

Deputetja e BDI-së, Dijana Toska, tha se ministri Shasivari është i njoftuar me këtë problematikë dhe se, sipas saj, vetë ministri gjatë muajit prill kishte deklaruar se provimi i Jurisprudencës duhet të mund të jepet në gjuhën shqipe.

Toska e pyeti ministrin se pse ka ndryshuar qëndrimin dhe kritikoi atë që e cilësoi si “zgjidhje gjysmake” për studentët shqiptarë. Sipas saj, modeli i kombinuar që po propozohet parasheh që pjesa teorike e provimit të zhvillohet në shqip, ndërsa pjesa praktike në maqedonisht.

“Prandaj, sot edhe unë, por edhe qytetarët, kanë të drejtë të pyesin: çfarë ndodhi, z. ministër, pse ndryshuat mendimin? Sot, në vend të një zgjidhjeje të plotë, ju po ofroni një zgjidhje të ashtuquajtur model i kombinuar – pjesën teorike në shqip dhe pjesën praktike në maqedonisht. Pse? Në një shtet ku të drejtat duhet të jenë 100 për qind të garantuara për të gjithë qytetarët, ju ofroni një zgjidhje të përgjysmuar të një të drejte“, tha Toska.

Ajo shtoi se gjuha juridike nuk përfshin vetëm pjesën teorike të provimit dhe se ministri, sipas saj, duhet të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.

“Ua kujtoj se ju jeni ministër, jo i një partie, jo i një koalicioni, por i të gjithë qytetarëve. Duhet të jeni njëjtë për të gjithë qytetarët. Gjuha juridike nuk është vetëm teori, ju këtë e dini më mirë“, tha Toska.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, tha se pas fillimit të vitit të ri akademik, në pjesën e parë të tetorit, do t’i ftojë në takim përfaqësuesit e asociacioneve studentore, së bashku me dekanët e fakulteteve juridike të universiteteve përkatëse.

Sipas Shasivarit, takimi do të jetë informues dhe konsultativ, ku studentëve do t’u prezantohet zgjidhja e propozuar për provimin e Jurisprudencës dhe do t’u sqarohet edhe mënyra e zbatimit të saj në praktikë.

“Pasi të fillojë viti i ri akademik, në pjesën e parë të tetorit do t’i ftoj përfaqësuesit e asociacioneve të studentëve, bashkë me dekanët e fakulteteve juridike të këtyre universiteteve, në një takim informues dhe konsultativ, ku jo vetëm do t’u prezantohet zgjidhja, por e njëjta do t’u sqarohet edhe në mënyrë praktike. Duke pasur parasysh se dialogu dhe partneriteti me komunitetin akademik janë shumë të rëndësishëm“, tha Shasivari.

Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Dijana ToskaJeton ShasivariJurisprudencaUniversiteti “Nënë Tereza”VLEN koalicioni