Opozitarja Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), përmes një komunikate me shkrim, ka komentuar dy skenarët për Alta Bankën SHA Manastir, të cilët, siç thonë, kryeministri Hristijan Mickoski i paraqiti dje. Skenari i parë është gjetja e një blerësi për bankën, ndërsa i dyti është shpallja e falimentimit të saj, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri dje, në konferencën e përbashkët për shtyp me euroambasadorin Mihalis Rokas, me rastin e raportit të Komisionit Evropian për përparimin e vendit, duke iu përgjigjur një pyetjeje gazetareske për zhvillimet në Alta Bankë, u bëri thirrje depozituesve dhe kreditorëve të bankës të mos bien pre e, siç u shpreh, histerisë që po krijon LSDM-ja dhe të jenë të qetë, pasi edhe në skenarin më të keq të mundshëm, përkatësisht nëse Alta Banka shpallet e falimentuar, të gjithë do të dëmshpërblehen.
Sipas LSDM-së, asnjëri nga skenarët e Mickoskit “nuk qëndron”.
“Skenari i parë – të gjendet një blerës. Nuk ka blerës. Është tipike për VMRO-në dhe Mickoskin që dikush tjetër të jetë fajtor. Por e vërteta është se askush nuk dëshiron të blejë një portofol kriminal të një banke në pronësi të një njeriu që deri dje kishte një këmbimore të vogël në Zemun. Asnjë bankë serioze nuk do ta merrte përsipër këtë. Reputacioni është shkatërruar, kapitali është nën dyshime, ndërsa hetimet janë në vijim në Serbi, Mal të Zi dhe BE”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Sa i përket skenarit të dytë, që banka të shpallet e falimentuar, sipas socialdemokratëve, kjo tashmë ka ndodhur, pasi Alta Banka në Serbi është në falimentim, pas vendimit të Bankës Popullore të Serbisë për t’ia revokuar licencën e punës.
Nga LSDM-ja vënë në pikëpyetje edhe pretendimin e Mickoskit se depozituesit dhe kreditorët duhet të jenë të qetë, pasi do të dëmshpërblehen në rast se Alta Banka SHA Manastir shpallet e falimentuar.
“Së pari, qytetarët do të marrin para për depozitat deri në 30.000 euro nga Agjencia për Sigurimin e Depozitave. Së dyti, shumat më të mëdha nuk do t’i marrin në tërësi, por vetëm pjesën e siguruar. Së treti, ajo që Mickoski nuk e përmend janë paratë e ndërmarrjeve publike. Përsëri, para të qytetarëve të Maqedonisë. Pra, Mickoski, si zakonisht, gënjen. Nuk tregon se çfarë ndodh me ato para. Sa para humb shteti? Sa janë asetet e bankës? Kur thotë se pjesa tjetër do të arkëtohet nga masa e falimentimit, mbi çfarë baze?”, thonë nga LSDM-ja.
Si shembull, ata përmendin rastin e Alta Bankës në Serbi, për të cilën më parë pretendohej se kishte pothuajse 400 milionë euro në thesar, por në fund ishte vërtetuar se pronari i bankës, Davor Macura, i cili ndodhet në paraburgim, i kishte tërhequr tashmë ato para.
Në këtë kontekst, nga LSDM-ja e pyesin kryeministrin Mickoski se sa para të qytetarëve ndodhen në Alta Bankën SHA Manastir dhe theksojnë se shifrat nuk duhet të fshihen.
Skenari i vetëm që Mickoski nuk e përmendi dje, shtojnë nga LSDM-ja, është se ai dhe guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, me siguri do të mbajnë përgjegjësi për zhvillimet me Alta Bankën.
“Atë skenar nuk e përmendi – është vetëm çështje kohe. Dhe duket se kjo do të ndodhë së shpejti”, thuhet në fund të komunikatës së LSDM-së.
Kryeministri Hristijan Mickoski dje për herë të parë reagoi lidhur me zhvillimet në Alta Bankë, të cilat ditëve të fundit kanë nxitur reagime në opinion. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës për shtyp me euroambasadorin Mihalis Rokas, kryeministri tha se po i ndjek me shumë vëmendje akuzat e LSDM-së lidhur me gjendjen në Alta Bankë dhe e akuzoi opozitën se qëllimisht po krijon frikë dhe panik te qytetarët.
Në këtë drejtim, Mickoski i bëri thirrje Prokurorisë Publike të merret me atë që e cilësoi si vepër penale të sabotimit që po e kryen opozita.
Duke iu drejtuar depozituesve dhe kreditorëve të Alta Bankës, kryeministri u bëri thirrje të mos bien pre e, siç u shpreh, histerisë që po krijon LSDM-ja dhe të jenë të qetë, pasi edhe në skenarin më të keq të mundshëm, përkatësisht nëse Alta Banka shpallet e falimentuar, të gjithë do të dëmshpërblehen. Mickoski tha se ky është njëri nga dy skenarët e mundshëm për fatin e Alta Bankës.
Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.
Sipas Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, prej të cilëve rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për këtë arsye, nga 5 nëntori është mundësuar tërheqja deri në 20.000 denarë në sportelin kryesor në Manastir. Administrimi i përkohshëm duhet të sqarojë gjendjen e bankës, ndërsa një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.
- LEXO: Gjysmë miliardë euro në kasafortën e ALTA-s, çfarë ka ditur Banka Popullore e Serbisë?
- LEXO: Rasti Alta Bank, Sllaveski: Shqyrtohet mundësia që 3.500 pensionistë pa kartela të mund të tërheqin deri në 20.000 denarë
- LEXO: Çka me paratë e “bllokuara” në Alta Bankë? Tre administratorë brenda 21 ditësh duhet të përcaktojnë gjendjen
- LEXO: Rasti i Alta Bankës: Degët e mbyllura, klientët të frikësuar
- LEXO: Është arrestuar Davor Macura, biznesmeni i afërt me ‘Partinë Përparimtare Serbe’ dhe pronar i Alta Bankës
- LEXO: Banka Popullore e RMV-së mori nën administrim “Alta Bankën” në Manastir, kufizoi tërheqjet nga llogaritë e klientëve
- LEXO: “Alta Banka” mbante shuma të mëdha parash të gatshme, ndërsa jepte më pak kredi se bankat konkurruese