“Alta Banka” mbante shuma të mëdha parash të gatshme, ndërsa jepte më pak kredi se bankat konkurruese

Vetëm katër muaj para se t’i revokohej leja e punës, banka serbe “Alta Banka” dispononte me më shumë se 700 milionë euro para të gatshme dhe mjete në Bankën Qendrore, kishte depozita dhe detyrime të tjera ndaj klientëve në vlerë prej rreth 1.47 miliardë eurosh dhe zbatonte një politikë kreditimi dukshëm më të kujdesshme sesa bankat më të mëdha në Serbi. Pavarësisht këtyre treguesve financiarë, banka pësoi kolaps, ndërsa tani shtrohet pyetja se çfarë ndodhi me paratë gjatë muajve të fundit të funksionimit të saj, analizon “Forbes Serbia”.

Të dhënat e Bankës Popullore të Serbisë (BPS) për tremujorin e dytë të vitit 2026 tregojnë se “Alta Banka” në fund të qershorit kishte gjithsej rreth 1.84 miliardë euro asete. Prej tyre, rreth 904 milionë euro ishin dhënë si kredi për qytetarët dhe kompanitë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e mjeteve mbetej në para të gatshme dhe në llogari pranë bankës qendrore.

Kjo strukturë e bilancit tregon se banka nuk i kishte përdorur për kredi një pjesë të madhe të mjeteve të mbledhura, gjë që në rrethana normale mund të përbëjë një mbrojtje shtesë nga problemet me likuiditetin.

Megjithatë, pas revokimit të lejes së punës më 31 tetor, mbetet e paqartë se sa nga këto mjete janë tërhequr, kujt i janë paguar dhe cila ka qenë gjendja reale financiare e bankës menjëherë para ndërhyrjes së rregullatorit.

Një nga karakteristikat më të spikatura të “Alta Bankës” ishte pjesëmarrja e lartë e parave të gatshme dhe mjeteve në bankën qendrore në asetet e saj të përgjithshme.

Në fund të qershorit, kjo kategori arrinte në 83.46 miliardë dinarë, përkatësisht rreth 713 milionë euro, që përbënte 38.8 përqind të aseteve të përgjithshme.

Për krahasim, te pesë bankat më të mëdha në Serbi, pjesëmarrja e këtyre mjeteve varionte nga rreth 16 deri në 22 përqind. Te Intesa ishte 17.2 përqind, te OTP 16.4 përqind, te Raiffeisen 18.4 përqind, te UniCredit 21.6 përqind, ndërsa te NLB 15.8 përqind.

Kjo do të thotë se “Alta Banka” mbante pothuajse dyfishin e pjesës së aseteve në këtë kategori, krahasuar me shumicën e bankave konkurruese.

Kjo nuk do të thotë se e gjithë shuma ishte lirisht në dispozicion për t’iu paguar klientëve, pasi një pjesë e mjeteve mund t’u nënshtrohej kufizimeve rregullatore.

Një dallim i ngjashëm vërehet edhe në aktivitetin kreditor. Raporti i kredive të miratuara ndaj depozitave të mbledhura dhe detyrimeve të tjera ndaj klientëve te “Alta Banka” ishte pak më pak se 62 përqind, ndërsa te shumica e bankave të mëdha të analizuara ky raport tejkalonte 80, madje edhe 90 përqind.

Me fjalë të tjera, banka dispononte me një sasi të madhe mjetesh, por një pjesë dukshëm më të vogël të tyre e përdorte për kreditim.

Një model i tillë mund të kontribuojë në likuiditet më të lartë, por njëkohësisht ngre pikëpyetje për strategjinë afariste dhe arsyet se përse banka mbante një sasi kaq të madhe mjetesh në vend që t’i përdorte për kreditim.

Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë dje vendosi të revokojë licencën e Sh.A. “Alta Banka” Beograd. Me vendim gjykate, Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të emërohet si administrator i falimentimit, tha BKS në një deklaratë.

Siç thuhet në deklaratë, Bordi Ekzekutiv arriti në përfundimin se para revokimit të licencës, u kryen aktivitete mbikëqyrëse për të siguruar që banka të rriste nivelin e saj të likuiditetit.

“Duke pasur parasysh se kushtet për revokimin e licencës së operimit të bankës, në përputhje me Ligjin për Bankat, janë përmbushur, Banka Kombëtare e Serbisë ka marrë këtë vendim për të mbrojtur interesat e depozituesve dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar”, shtoi BKS.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave, brenda shtatë ditëve pune, do të mundësojë pagesën e shumave të siguruara dhe aksesin në fonde për depozituesit, në përputhje me Ligjin për Sigurimin e Depozitave, thuhet në deklaratën e Zyrës së Guvernatorit të BKS-së.

Ndryshe, LSDM-ja gjatë kësaj jave ka raportuar se Alta Banka ka filluar të transferojë shuma të mëdha parash në Maqedoni dhe Rusi, duke kërkuar nga Prokuroria Publike të hetojë origjinën e tyre.

Gjatë muajit tetor, katër biznesmenë nga Serbia, të afërt me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, janë përfshirë në një listë personash ndaj të cilëve kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në listën e personave për të cilët propozohet sanksion është edhe Davor Macura nga Alta Banka.

Në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” ShA Beograd e bleu “Stopanska” Bankën Manastir, një proces ky që u krye me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV).

Sa i përket pronarit të “Alta Group”, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të atij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas hulumtimit të “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën ndjeshëm me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit. Sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit detyrohen t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike direkt në llogarinë e hapur në “Alta Bank”.

Kjo lëvizje kapitali përkon me paralajmërimet e fundit të Bashkimit Evropian. Raporti i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian (PE), tërheq vërejtjen për rritjen e ndikimit gjeopolitik të Rusisë dhe Kinës në rajon, ndërsa dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.

Banka - BankëSerbia