Rruga “Makedonija”, në qendër të Shkupit. Para një bankomati të Alta Bankës takojmë dy pensionistë. Ata nuk janë nga Shkupi. Kanë ardhur nga Manastiri, në përpjekje për ta ndryshuar bankën ku marrin pensionin. Në vend të Alta Bankës, duan që pensioni t’u derdhet në ndonjërën nga bankat e tjera komerciale, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.
Ata u përpoqën të hynin në degën e bankës, por dera ishte e mbyllur, ndërsa përmes xhamit dukej se sportelet ishin bosh.
“Mbi pesëdhjetë vjet kemi qenë në Stopanska Banka të Manastirit, tani Alta Banka, dhe ja çfarë po bëjnë. Kjo nuk është e drejtë për ne pensionistët, të endemi nga njëra bankë në tjetrën. Nuk është mirë. Ne jetojmë me atë pension, nuk bëjmë punë tjetër. Nuk kemi as punë private. Kush na pranon në këtë moshë? Duhet ta ndryshojmë bankën, por ja që nuk është hapur. Dhe tani, a do të hapet? Çfarë të bëjmë? Ku do të përfundojë pensioni ynë muajin e ardhshëm?”, pyeti pensionistja e shqetësuar nga Manastiri.
Të dy kishin arritur t’i tërhiqnin pensionet përmes bankomatit që të premten, më 30 tetor, ndonëse nuk prisnin që gjithçka të ndryshonte brenda vetëm një fundjave.
“Ata nuk thonë asgjë, por ne dëgjojmë. Tani kemi frikë, do të shohim. E kemi tërhequr të gjithë pensionin. Nuk është i madh, por na mjafton. E tërhoqëm më 30 tetor. Pastaj filloi afera me bankën. Nuk është mirë. Nëse punon, puno me njerëzit, por ne nuk kemi faj”, tha ajo.
Para degës dhe bankomatit të Alta Bankës në rrugën “Makedonija” vinin vazhdimisht klientë. Jo aq shumë sa të krijoheshin radhë, por mjaftueshëm për të krijuar një pasqyrë më të gjerë të situatës. Para kamerave, të gjithë thonë të njëjtën gjë: jemi të frikësuar.
Kufizimi
Bankomati i Alta Bankës, i vendosur në ndërtesën e Bankës Popullore, këtë mëngjes ishte krejtësisht i zbrazët. Pritëm. Pas disa minutash u paraqit një klient i bankës. Burri, i cili nuk deshi ta zbulonte identitetin, tha se ishte pensionist dhe se për rreth dhjetë vjet kishte qenë klient i Stopanska Bankës SHA Manastir. Pasi banka u transformua në Alta Bankë, ai vazhdoi të ishte klient i saj.
“Guvernatori Trajko Sllaveski tha se banka është likuide dhe kjo na hutoi. Shpresoj se lajmi se banka do të shkojë në falimentim është i rremë. Kështu do të tërheqim nga 10.000 denarë në javë dhe kaq. Bashkëshortja ime shkoi në Veles për t’i tërhequr paratë, sepse në Shkup nuk ia jepnin”, tha ai.
Ai kishte ardhur te bankomati për t’i tërhequr 10.000 denarët e tij për këtë javë, kufizim i vendosur nga Banka Popullore. E shënoi shumën e dëshiruar, por pa sukses. Bankomati nuk e miratoi transaksionin. Burri filloi të bërtiste dhe të shprehte pakënaqësinë, por me sugjerimin tonë provoi një mënyrë tjetër, duke e ndarë shumën në disa transaksione. Fillimisht kërkoi 6.000 denarë dhe këtë herë bankomati ia dha paratë.
“Ju faleminderit, qofshi me jetë e shëndet!”, bërtiti ai dhe bëri një transaksion të ri. Kërkoi 3.000 denarë dhe edhe këtë herë tërheqja ishte e suksesshme.
I kënaqur, u bë gati të largohej. E pyetëm pse nuk tërhoqi edhe 1.000 denarë të tjerë, për ta plotësuar shumën prej 10.000 denarësh për këtë javë. Ai na tregoi mesazhet SMS nga banka për transaksionet e miratuara. Në njërin prej tyre, në vend të 6.000 denarëve, shkruante se transaksioni i kishte kushtuar 6.200 denarë, ndërsa në tjetrin, në vend të 3.000 denarëve, shënohej shuma prej 3.200 denarësh.
“Banka na merr nga 200 denarë provizion për çdo transaksion në bankomat. Tani më ka marrë gjithsej 400 denarë dhe për këtë arsye nuk kam mjete të mjaftueshme për të tërhequr edhe një mijë denarë”, shpjegoi ai.
Dega e Alta Bankës ndodhet brenda ndërtesës, në katin përdhes. Hymë brenda, por sportelet, ku pothuajse nuk kishte asnjë shenjë që tregonte se bëhej fjalë për Alta Bankën, ishin bosh. Vumë re një njoftim të bankës, të shtypur në letër dhe të ngjitur në xhamat e objektit. Banka njoftonte se nga 2 nëntori 2026 (e hënë), degët e saj do të jenë përkohësisht të mbyllura për klientët, deri në një njoftim të radhës.
“Në përputhje me vendimin e Bankës Popullore, janë vendosur masa të përkohshme mbrojtëse, me të cilat për personat fizikë është përcaktuar një kufi javor prej 10.000 denarësh për përdorimin e mjeteve përmes kartelave të pagesës së bankës. Theksojmë se masat e ndërmarra kanë karakter parandalues dhe synojnë mbrojtjen e mjeteve dhe interesave të klientëve. Për të gjitha informacionet dhe ndryshimet shtesë do t’ju njoftojmë me kohë përmes kanaleve tona zyrtare”, thuhej në njoftimin e bankës.
Bankomatet kanë para
Vendosëm që edhe ne të tërheqim para nga bankomati i Alta Bankës pranë Bankës Popullore, ndonëse kartela jonë ishte e një banke tjetër dhe nuk ishim klientë të saj. Kërkuam 1.000 denarë dhe e morëm shumën e kërkuar. Por, njësoj si në rastin e klientit të mëparshëm, aplikacioni i bankës sonë tregoi se ishin tërhequr 1.200 denarë.
Të njëjtën shumë e tërhoqëm edhe në bankomatin në rrugën “Makedonija”. Edhe atje transaksioni ishte i suksesshëm. Por, sërish, aplikacioni bankar tregoi 200 denarë më shumë, përkatësisht gjithsej 1.200 denarë.
Sipas faqes së internetit të bankës, provizionet për tërheqjen e parave të gatshme janë: “0,5%, minimumi 100 denarë, për tërheqje në bankomatet e Bankës; 2%, minimumi 300 denarë, për tërheqje në bankomatet e një banke tjetër; 2,5%, minimumi 200 denarë, për tërheqje në terminalet POS të një banke tjetër”.
Mediat serbe mbrëmë raportuan se është arrestuar pronari i “Alta Bankës”, Davor Macura. Më herët, kontrolli në hapësirat e selisë qendrore të bankës në Beograd kishte zgjatur më shumë se 30 orë.
Banka Popullore e Serbisë të shtunën njoftoi se kishte vendosur t’ia revokonte licencën e punës “Alta Bankës”, për shkak se gjendja financiare e saj ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe ekzistonte mundësia e përkeqësimit të mëtejshëm, përfshirë edhe përkeqësimin e likuiditetit.
Guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, Trajko Sllaveski, dje në një konferencë për media njoftoi se ndaj Alta Bankës SHA Manastir, e cila është në pronësi shumicë të Alta Bankës SHA Beograd, do të vendoset administrim, që do të thotë se drejtimin e saj do ta marrë Banka Popullore.
Qytetarët që kanë llogari në këtë bankë do të mund të përdorin maksimumi nga 10.000 denarë në javë për pagesa jashtë bankës. Ndërkaq, për pagesat e brendshme, nga një llogari në tjetrën brenda bankës, shuma nuk është e kufizuar.
Ndërkohë, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi dje në administrimin e saj “Alta Banka” SHA Manastir, pas zhvillimeve në lidhje me aksionarin e saj “Alta Banka” SHA Beograd, të cilës i është marrë licenca e punës dhe janë plotësuar kushtet për hapjen e procedurës së falimentimit. Vendimi është miratuar më 1 nëntor 2026 dhe tashmë ka hyrë në fuqi.
- LEXO: Banka Popullore e RMV-së mori nën administrim “Alta Bankën” në Manastir, kufizoi tërheqjet nga llogaritë e klientëve
- LEXO: Alta Bankës i merret leja e punës në Serbi, ajo vitin e kaluar e filloi punën edhe në Maqedoninë e Veriut
Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë dje vendosi të revokojë licencën e Sh.A. “Alta Banka” Beograd. Me vendim gjykate, Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të emërohet si administrator i falimentimit, tha BKS në një deklaratë.
Siç thuhet në deklaratë, Bordi Ekzekutiv arriti në përfundimin se para revokimit të licencës, u kryen aktivitete mbikëqyrëse për të siguruar që banka të rriste nivelin e saj të likuiditetit.
“Duke pasur parasysh se kushtet për revokimin e licencës së operimit të bankës, në përputhje me Ligjin për Bankat, janë përmbushur, Banka Kombëtare e Serbisë ka marrë këtë vendim për të mbrojtur interesat e depozituesve dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar”, shtoi BKS.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave, brenda shtatë ditëve pune, do të mundësojë pagesën e shumave të siguruara dhe aksesin në fonde për depozituesit, në përputhje me Ligjin për Sigurimin e Depozitave, thuhet në deklaratën e Zyrës së Guvernatorit të BKS-së.
Ndryshe, LSDM-ja gjatë kësaj jave ka raportuar se Alta Banka ka filluar të transferojë shuma të mëdha parash në Maqedoni dhe Rusi, duke kërkuar nga Prokuroria Publike të hetojë origjinën e tyre.
Gjatë muajit tetor, katër biznesmenë nga Serbia, të afërt me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, janë përfshirë në një listë personash ndaj të cilëve kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në listën e personave për të cilët propozohet sanksion është edhe Davor Macura nga Alta Banka.
Në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” ShA Beograd e bleu “Stopanska” Bankën Manastir, një proces ky që u krye me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV).
Sa i përket pronarit të “Alta Group”, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të atij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas hulumtimit të “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën ndjeshëm me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit. Sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit detyrohen t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike direkt në llogarinë e hapur në “Alta Bank”.
Kjo lëvizje kapitali përkon me paralajmërimet e fundit të Bashkimit Evropian. Raporti i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian (PE), tërheq vërejtjen për rritjen e ndikimit gjeopolitik të Rusisë dhe Kinës në rajon, ndërsa dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.
- LEXO: Është arrestuar Davor Macura, biznesmeni i afërt me ‘Partinë Përparimtare Serbe’ dhe pronar i Alta Bankës
- LEXO: Kuzeska: Pas rënies së Vuçiqit, Alta Banka po transferon para në Maqedoni, Prokuroria të hapë menjëherë hetim
- LEXO: Rubios i kërkohen sanksione ndaj katër biznesmenëve serbë të afërt me Vuçiqin, aty përfshihet edhe Alta Bank
- LEXO: Banka serbe edhe zyrtarisht hyri në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Nga banka shqiptare te “ALTA Banka” serbe, si u harrua premtimi elektoral i “VLEN”-it?