Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka vendosur në administrimin e saj “Alta Banka” SHA Manastir, pas zhvillimeve në lidhje me aksionarin e saj “Alta Banka” SHA Beograd, të cilës i është marrë licenca e punës dhe janë plotësuar kushtet për hapjen e procedurës së falimentimit. Vendimi është miratuar më 1 nëntor 2026 dhe tashmë ka hyrë në fuqi, transmeton Portalb.mk.
Nga Banka Popullore thonë se masa është e përkohshme dhe synon mbrojtjen e pasurisë së “Alta Banka” në Manastir dhe interesave të depozituesve. Institucioni thekson se banka është e kapitalizuar mirë, likuide, ka portofol kreditor me cilësi solide dhe i përmbush të gjitha standardet mbikëqyrëse.
Me vendosjen e administrimit, menaxhimi i pasurisë së bankës kalon përkohësisht në kompetencë të personave të emëruar nga Banka Popullore. Për të mbrojtur pasurinë e bankës, në ditët në vijim do të zbatohen edhe kufizime për pagesat nga llogaritë e klientëve.
Për personat fizikë është përcaktuar një limit javor prej 10.000 denarësh për daljet nga llogaritë, i cili mund të shfrytëzohet përmes kartelave të lëshuara nga banka. Ndërkaq, pagesat e brendshme ndërmjet llogarive të klientëve, si personave fizikë ashtu edhe atyre juridikë, brenda bankës do të vazhdojnë të realizohen pa kufizim në shumë.
Banka Popullore u bëri thirrje kredimarrësve që të vazhdojnë t’i përmbushin me kohë detyrimet ndaj bankës, ndërsa theksoi se do të vazhdojë ta monitorojë situatën dhe të ndërmarrë veprime brenda kompetencave ligjore.
Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë dje vendosi të revokojë licencën e Sh.A. “Alta Banka” Beograd. Me vendim gjykate, Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të emërohet si administrator i falimentimit, tha BKS në një deklaratë.
Siç thuhet në deklaratë, Bordi Ekzekutiv arriti në përfundimin se para revokimit të licencës, u kryen aktivitete mbikëqyrëse për të siguruar që banka të rriste nivelin e saj të likuiditetit.
“Duke pasur parasysh se kushtet për revokimin e licencës së operimit të bankës, në përputhje me Ligjin për Bankat, janë përmbushur, Banka Kombëtare e Serbisë ka marrë këtë vendim për të mbrojtur interesat e depozituesve dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar”, shtoi BKS.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave, brenda shtatë ditëve pune, do të mundësojë pagesën e shumave të siguruara dhe aksesin në fonde për depozituesit, në përputhje me Ligjin për Sigurimin e Depozitave, thuhet në deklaratën e Zyrës së Guvernatorit të BKS-së.
Ndryshe, LSDM-ja gjatë kësaj jave ka raportuar se Alta Banka ka filluar të transferojë shuma të mëdha parash në Maqedoni dhe Rusi, duke kërkuar nga Prokuroria Publike të hetojë origjinën e tyre.
Gjatë muajit tetor, katër biznesmenë nga Serbia, të afërt me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit, janë përfshirë në një listë personash ndaj të cilëve kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në listën e personave për të cilët propozohet sanksion është edhe Davor Macura nga Alta Banka.
Në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” ShA Beograd e bleu “Stopanska” Bankën Manastir, një proces ky që u krye me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV).
Sa i përket pronarit të “Alta Group”, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të atij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas hulumtimit të “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën ndjeshëm me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit. Sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit detyrohen t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike direkt në llogarinë e hapur në “Alta Bank”.
Kjo lëvizje kapitali përkon me paralajmërimet e fundit të Bashkimit Evropian. Raporti i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian (PE), tërheq vërejtjen për rritjen e ndikimit gjeopolitik të Rusisë dhe Kinës në rajon, ndërsa dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.
- LEXO: LSDM kërkoi përgjegjësi nga guvernatori dhe kryeministri për sjelljen e Alta Bankës në Maqedoni
- LEXO: Kuzeska: Pas rënies së Vuçiqit, Alta Banka po transferon para në Maqedoni, Prokuroria të hapë menjëherë hetim
- LEXO: Rubios i kërkohen sanksione ndaj katër biznesmenëve serbë të afërt me Vuçiqin, aty përfshihet edhe Alta Bank
- LEXO: Banka serbe edhe zyrtarisht hyri në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Nga banka shqiptare te “ALTA Banka” serbe, si u harrua premtimi elektoral i “VLEN”-it?