“Asnjë më shumë” sot në Shkup u mbajt marshi protestues kundër vrasjes dhe dhunës ndaj grave

Sot në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, në orët e pasdites në Shkup është mbajtur marshi protestues kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave. Marshi filloi afër parkut “Gruaja Luftëtare”, para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Pasi marshuesit kanë mbajtur një minutë heshtje për viktimat, kanë vazhduar marshin drejt qendrës së qytetit, për të përfunduar para objektit të MPB-së.

Iniciativa joformale “Asnjë më shumë” kërkoi përgjegjësi institucionale, mbrojtje në kohë dhe drejtësi gjyqësore për të gjitha gratë që kanë përjetuar dhunë dhe për ato që kanë humbur jetën si pasojë e saj.

Iniciativa kritikoi institucionet për mosveprim, duke theksuar se rastet e dhunës ndaj grave nuk duhet të mbeten në sirtarët e institucioneve dhe se çdo vrasje e re nuk duhet të pasohet vetëm nga reagime disaditëshe publike dhe më pas nga heshtja institucionale.

“Kur institucionet janë të shurdhra, le t’i detyrojmë të na dëgjojnë!”, thuhet në thirrjen për protestë, duke shtuar se “vendi ynë duhet të ketë vetëm një gjë – të jetë i drejtë!”.

Kujtojmë se edhe më 20 nëntor, me mesazhe për drejtësi, mbrojtje dhe përgjegjësi të menjëhershme institucionale, aktivistet dhe qytetarët protestuan para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke reaguar ndaj serisë së vrasjeve të grave dhe dështimeve të institucioneve përgjegjëse në trajtimin e dhunës ndaj grave.

Edhe më 8 nëntor u mbajt marsh protestues kundër femicidit.

Dhuna ndaj graveDhunë - DhunaFemicidProtesta