“Bombat” për rastin “Monstra”, Prokuroria Themelore ende nuk ka kërkuar materiale nga Prokuroria Speciale

“Lënda “Monstra” është në fazë parahetimore. Tani për tani nuk ka asgjë të re të cilën do ta kishim ndarë me opinionin”, kjo është përgjigja e shkurtër e Prokurorisë Speciale Publike për Portalb.mk, në pyetjen se deri ku ka arritur procedura për marrjen e kësaj lënde nën kompetenca të PSP-së, njofton Portalb.mk.

Nga Specialja, konfirmojnë që Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion me të cilën udhëheq Lubomir Joveski, nuk ka kërkuar ende asnjë ndihmë nga ekipi i kryeprokurores Katica Janeva në lidhje me zërat në opinion për ekzistimin e bisedave të përgjuara.

“Kemi kontakte me Prokurorinë Themelore Publike, por deri më tani nuk kanë kërkuar ndonjë ndihmë nga ne”, thonë nga PSP.

Pas anulimit të djeshëm të seancës së parë të rigjykimit, avokati i palës mbrojtëse, Naser Raufi deklaroi se “është e nevojshme që rastin ta marrë në duar Prokuroria Speciale”. Të njëjtin mendim ndajnë edhe familjarët e të dënuarve, të cilët thonë shpresojnë që “Prokuroria e rregullt ta tërheq akuzën, ndërkaq rastin ta marrë nën kompetenca Prokuroria Speciale”.

Çfarë kërkoi Prokuroria Speciale që ta marrë rastin “Monstra”?

Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva dhe ekipi i saj vazhdimisht kanë kërkuar votimin e ligjit për dëshmitarë të mbrojtur me qëllim që në disa lëndë të kësaj prokurorie e cila i heton “bombat”, dëshmitarët të jenë të mbrojtur, duke fituar me shumë garanca për mbrojtjen e identitetit të tyre.

Dëshmitar i mbrojturKërkesa për dëshmitarë të mbrojtur ka dalë nga frikësimi potencial i dëshmitarëve të mbrojtur të cilët dalin nga afërsia dhe lidhja e individëve në institucione, përfaqësuesit e të cilëve janë pjesë e Këshillit të Dëshmitarëve të Mbrojtur me strukturat politike, të cilët sipas mandatit të PSP-së  janë të përfshira në hetimet të cilët i udhëheq ky institucion.

“Prokuroria Speciale Publike po përballet me problemin që t’u përgjigjet në kërkesën e dëshmitarëve të mbrojtur të cilët nuk paraqiten që të dëshmojnë në lëndët të cilët i ka marrë ky institucion që t’i pastrojë dyshimet për kryerjen e veprave penale të cilët dalin nga “bombat” e përgjuara”, kanë thënë nga PSP, transmeton Portalb.mk.

Në ndryshimet e ligjit, PSP do të kërkojë ingerenca për dhënien e statusit të dëshmitarit të mbrojtur në lëndët të cilët i udhëheq kjo prokurori.

Sipas ligjit aktual, vendimi për dhënien e statusit të dëshmitarit të mbrojtur e e vendos Këshilli për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. Ashtu siç është e paraparë me nenin 6 nga ky ligj, Këshilli është i përbërë nga pesë anëtarë – përfaqësues të Gjykatës Supreme nga radhët e gjykatësve, përfaqësues i Prokurorisë nga radhët e zëvendësprokurorëve, drejtorit të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve nga Ministria e Drejtësisë, përfaqësues nga MPB dhe udhëheqës i Sektorit të MPB-së.

Ligji për dëshmitarë të mbrojtur në procedurë parlamemtare

Qeveria e Maqedonisë në nëntor të vitit të kaluar e miratoi ligjin e shumëpritur nga Prokuroria Speciale, atë për dëshmitarët e mbrojtur, ndërkaq tani i njëjti ndodhet në procedurë parlamentare. Qëllimi i këtij ndryshimi ligjor është propozuar që të sigurohen kushte për zbatimin e ligjit për Prokurorinë Speciale Publike (PSP).

“Kemi miratuar propozim-ligjin për ndryshime të ligjit për dëshmitarët e mbrojtur. Qëllimi i këtij vendimi është që të sigurohen kushte për realizim të ligjit të Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar të lidhura dhe të cilat dalin nga telefonatat e përgjuara në mënyrë të paligjshme. Sipas asaj që parashihet me propozim-ndryshimin e ligjit të dëshmitarëve të mbrojtur, kërkesën për mbrojtjen të dëshmitarëve e bënë prokuroria publike nga prokuroi publik i caktuar, gjykatës që udhëheqë me rastin e caktuar ose MPB. Pas kësaj vendimin për dëshmitarët e bën Këshilli”, tha sot zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski.

Elementi kyç i këtij ligji është se kërkesën për mbrojtjen e dëshmitarëve mund ta bëjë edhe PSP-ja dhe nuk ka parametër ligjor i cili do ta refuzonte atë.

“Bombat” për “Monstrën”

Mundësia që Prokuroria Speciale Publike ta marrë në duar rastin “Monstra” erdhi pasi që në opinion disa herë, është përfolur për ekzistimin e materialeve të përgjuara të cilat do ta zbardhnin të vërtetën e këtij rasti.

Përfaqësuesi i familjeve të të akuzuarve të rastit “Monstra” në tetor të vitit të kaluar zbuloi detaje nga një bisedë e përgjuar telefonike për këtë aferë kontroverse. Megjithatë, nuk dihet nëse e njëjta është pjesë nga “bombat” e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili gjatë kohë ka thënë se ekziston diçka e tillë.

“Unë dëgjova një bisedë mes dy protagonistëve, burrë dhe grua. Njëri thotë “aty asgjë nuk është gjetur nuk është lënë asnjë gjurmë, por unë kam plan”. Tjetri pyet se “cili është plani”, ndërkaq ai përgjigjet se “nuk mundem nëpërmjet telefonit të tregoj”, deklaroi Bedri Ajdari vëllai dhe babai i të akuzuarve në rastin “Monstra”, njofton Portalb.mk.

Edhe avokati Raufi, konfirmoi se ekziston një bisedë e tillë, por nuk e di se kush me kë bisedojnë. Biseda e përgjuar është ilegale, avokatët nuk e posedojnë, por kanë thënë se do ta pranojnë pasi që bëhet fjalë për interes publik.

“Bombat” për “Monstrën” u përmendën shumë herë në fjalorin e kryeministrit Zoran Zaev, i cili ka thënë se nga bisedat që ka dëgjuar nga materialet e siguruara e vërteta është ndryshe nga ajo që është paraqitur në opinion, duke aluduar se vrasësit e vërtetë të maqedonasve janë persona krejt të tjerë.

“Ekzistojnë biseda në të cilat tregohet se për personat që janë në burg nuk ka kurrfarë dëshmi për atë. Në biseda nuk ekzistojnë dëshmi se kush e ka atë (vrasjen, shkrim i redaksisë), por ekziston dyshim se pushteti është i përzier”tha Zaev në maj të vitit të kaluar.

“Monstra” në rigjykim

Ndryshe, Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët si dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri përkohësisht është liruar nga burgu (për shkaqe shëndetësore) pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.

LEXO NË LIDHJE ME TEMËN:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP