Siljanovska-Davkova: Nuk kërkova mbështetje të drejtpërdrejtë nga Kroacia dhe Sllovenia në kontestin me Sofjen, por ato gjithmonë thonë se qëndrojnë në krahun tonë

Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është vetëm çështje e zgjerimit, por edhe një imperativ i sigurisë, ndërsa përparimi i Malit të Zi dhe Shqipërisë në rrugën drejt BE-së është i rëndësishëm edhe për Maqedoninë – deklaroi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në konferencën e përbashkët për media me presidentin kroat Zoran Milanoviq dhe presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, pas Samitit të Procesit Brdo-Brijuni në Ohër, transmeton Portalb.mk.

Përveç përparimit të dy vendeve të rajonit në rrugën drejt integrimit evropian, të cilin Siljanovska-Davkova e konsideron edhe si përparim tonin, presidentja tha se përparim vërehet edhe në qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor. Ajo vlerësoi se në komunikatën e Komisionit Evropian lidhur me zgjerimin shihet një hap i madh përpara pas një periudhe të gjatë, pa një strategji të qartë që nga Samiti i Selanikut në vitin 2003.

“Përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë e konsideroj të rëndësishëm, sepse pas vitit 2013 nuk kishte portë të hapur për ne. Mendoj se përparimi i tyre është edhe përparimi ynë. Por, diçka po ndryshon edhe në BE sa i përket Ballkanit Perëndimor. Shumë herë kam thënë se që nga viti 2003, përkatësisht nga Samiti i Selanikut, nuk kam parë strategji të qartë dhe as hapa për përparimin tonë. Megjithatë, në momentin kur kemi përpara komunikatën e Komisionit Evropian për zgjerimin, shohim një hap të madh përpara. Anëtarësimin gradual nuk e konsideroj si zëvendësim të anëtarësimit të plotë, por ka hapa që janë vërtet frymëzues”, deklaroi presidentja.

Duke folur për rrugën e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian, presidentja tha se vendi po përballet me një problem serioz me çështjet dypalëshe, të cilat, siç theksoi ajo, nuk kanë të bëjnë me kriteret e Kopenhagës dhe nuk nënkuptojnë evropianizim, por janë në kundërshtim me parimet dhe vlerat e përcaktuara në aktet evropiane.

E pyetur nga gazetarët nëse nga Kroacia dhe Sllovenia, të cilat janë iniciatore dhe themeluese të Procesit Brdo-Brijuni, ka marrë premtim se do të mbështesin Maqedoninë në kontestin me Bullgarinë, presidentja tha se as nuk mundet dhe as nuk do t’i pyesë nëse do të qëndrojnë në krah të vendit tonë, konkretisht në kontestin me Sofjen zyrtare. Megjithatë, ajo theksoi:

“Folëm për nevojën e depolitizimit të çështjeve dypalëshe, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështjet e identitetit. Mbështetja e të dy shteteve është e qartë, si në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni, ashtu edhe sot, kudo dhe gjithmonë, ato thonë se qëndrojnë në krahun tonë.”

Siljanovska-Davkova tha se, ndryshe nga takimet e mëparshme të liderëve të Procesit Brdo-Brijuni, kur kishte pasur edhe mospajtime për miratimin e zgjidhjeve të përfshira në deklaratën e përbashkët, kësaj radhe mes tyre kishte pasur konsensus të plotë lidhur me parimet dhe vlerat që kanë të bëjnë me zgjerimin, si dhe çështjet që lidhen me marrëdhëniet fqinjësore dhe çështjet dypalëshe.

“Unë nuk mund të kërkoj mbështetje të drejtpërdrejtë, por mendoj se nga ajo që dëgjova në tryezën e rrumbullakët dhe tani në konferencën për media, mendoj se Kroacia dhe Sllovenia qëndrojnë në krahun tonë”, tha presidentja.

Procesi Brdo-Brioni funksionon që nga viti 2013 si një iniciativë rajonale e nisur nga Sllovenia dhe Kroacia, me fokus në përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e stabilitetit. Përveç Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë dhe Kroacisë, në këtë iniciativë marrin pjesë edhe Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.

Eurointegrime Negociata RMV-BEGordana Siljanovska DavkovaMarrëveshja me BullgarinëProcesi Brdo Brioni