Lëvizja Studentore, e mbështetur nga ekspertë juridikë dhe profesorë universitarë, ka shprehur shqetësimin lidhur me përfshirjen e Komisionit të Venecias në çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, pas kërkesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për vlerësimin e zgjidhjes së propozuar nga ekzekutivi.
Në reagimin e Lëvizjes Studentore thuhet se pavarësisht opinionit që do të japë Komisioni i Venecias, e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe garantohet me Kushtetutë, ndërsa Ligji për Përdorimin e Gjuhëve përcakton qartë detyrimet e institucioneve për zbatimin e saj.
“Komisioni i Venecias nuk mund të jetë mbi Kushtetutën, mbi ligjin dhe as mbi realitetin politik, historik e shoqëror të Maqedonisë së Veriut. Roli i tij është këshillues dhe opinioni i tij, cilido qoftë ai, nuk e ndryshon detyrimin e institucioneve për zbatimin e ligjit në fuqi”, thuhet në reagim.
Sipas studentëve, përfshirja e një organi ndërkombëtar këshillues nuk mund të shërbejë si arsye për shmangien e përgjegjësisë nga ana e Qeverisë dhe kryeministrit Hristijan Mickoski për zbatimin e legjislacionit në fuqi.
“Ne nuk kemi kërkuar ndryshimin e ligjit, as interpretimin e tij sipas nevojave politike të kryeministrit. Kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë zbatimin e tij në tërësi”, theksojnë përfaqësuesit e Lëvizjes Studentore.
Njëkohësisht, studentët i kanë bërë thirrje Komisionit të Venecias që gjatë hartimit të opinionit të marrë parasysh specifikat e rendit kushtetues të Maqedonisë së Veriut, frymën e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe argumentet juridike që lidhen me këtë çështje.
Megjithatë, ata bëjnë të ditur se, pavarësisht përfundimeve të Komisionit të Venecias, nuk do të tërhiqen nga kërkesa për të mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës dhe të provimeve të tjera profesionale në gjuhën shqipe.
“Ne nuk negociojmë të drejtat tona. Kërkojmë zbatimin e tyre!”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Studentore.
Komisioni i Venedikut nga 26 nëntori ka qëndruar në Shkup, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve për të mbledhur qëndrimet lidhur me modelin e ri të provimit të jurisprudencës e cila parashikon që teoria të jepet në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht.
Komisioni Venecias seancën e mbledhjes e ka caktuar më 11 dhe 12 dhjetorit, në të cilën pritet të jepet mendimi për modelin e ri të provimit të jurisprudencës.
- LEXO: Jurisprudenca në shqip ende në “provim” para Komisionit të Venedikut, studentët nuk e pranojnë zgjidhjen e Qeverisë
- LEXO: Për shkak provimit të jurisprudencës, ministri Shasivari zhvilloi takim me ekipin nga Komisioni i Venedikut
- LEXO: Komisioni i Venedikut vjen në Shkup për provimin e jurisprudencës
- LEXO: Përplasja për provimin e jusprudencës në shqip, Ahmeti dhe Shasivari ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit
- LEXO: Kuvendi e pret përgjigjen e Venedikut për jurisprudencën, kryeparlamentari thotë se do të kalojë me shumicë të thjeshtë
- LEXO: Studentët paralajmërojnë: Do të dalim në protesta nëse jurisprudenca nuk do të mundësohet tërësisht në shqip
- LEXO: Mickoski e përjashtoi provimin e jurisprudencës 100% në shqip, Sali vazhdon të premtojë zgjidhje, studentët kërkojnë afate konkrete