Ligjet po kalojnë gjithnjë e më shumë me procedurë të shkurtuar, KE: Të mos keqpërdoret kjo praktikë

Rritje e procedurave të shkurtuara, mosmiratimi i programit vjetor, mosfunksionimi i Komisionit për Monitorimin e Përfaqësimit të Drejtë dhe Adekuat të Qytetarëve që u Përkasin të Gjitha Bashkësive, vështirësi në arritjen e konsensusit për ligjet që kërkojnë shumicë prej dy të tretash ose shumicë sipas parimit të Badinterit, janë disa nga kritikat që u evidentuan në raportin e progresit të KE-së për punën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Krahas kësaj, raporti nënvizoi se emërimet duhet të bazohen në procedura të qarta dhe në meritë, raporton Portalb.mk. 

KE e vlerëson faktin që partitë politike e ruajtën konsensusin e gjerë për Rregulloren e punës, e cila theksohet se ka ndikuar pozitivisht në efikasitetin e punës së Kuvendit. Gjithashtu është përmendur edhe miratimi i Kodit të ri të Etikës për deputetët dhe Plani Strategjik 2027–2031.

“Megjithatë, Kuvendi sërish nuk arriti ta miratojë programin e tij vjetor të punës. Komisioni për Monitorimin e Përfaqësimit të Drejtë dhe Adekuat të Qytetarëve që u Përkasin të Gjitha Bashkësive mbeti jofunksional, pavarësisht disa çështjeve të reja ndëretnike. Arritja e konsensusit për ligjet që kërkojnë shumicë prej dy të tretash dhe/ose shumicë sipas parimit të Badinterit vazhdoi të jetë e vështirë. Kjo vonoi reforma të rëndësishme, përfshirë Ligjin për gjykatat dhe Ligjin për përmirësimin e statusit të Zyrës së Avokatit të Popullit”, thuhet në raport.

Si diçka pozitive, raporti përmend zgjedhjen Avokatit të Popullit, si dhe mbështetjen nga opozita, që mundësoi zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së.

“Njëfarë përparimi u shënua në emërimet e nivelit të lartë. Me mbështetjen e partive të ndryshme u zgjodh Avokati i ri i Popullit, ndërsa votat e opozitës siguruan shumicën prej dy të tretash të nevojshme për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Kuvendi zgjodhi gjithashtu një gjyqtar të ri të Gjykatës Kushtetuese dhe pesë anëtarë të Këshillit për Mbikëqyrje Civile. Emërimet duhet të bazohen në procedura të qarta dhe në meritë”, thuhet në raport.

Deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut (11.09.2026). Foto: Printscreen nga Kanali i Kuvendit

Mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit sipas raportit, vazhdoi në përputhje me Rregulloren e re të Punës, me seanca mujore për parashtrimin e 21 pyetjeve dhe hapësirë prej dy orësh për opozitën në fillim të seancave të rregullta. Opozita parashtroi dy mocione mosbesimi ndaj anëtarëve të Qeverisë, por ato nuk u miratuan.

Ajo që mbetet shqetësuese, prej tashmë disa vitesh, është përmendur sërish në këtë raport – “rritja e përdorimit të procedurave të shkurtuara në miratimin e ligjeve”. Kjo është një çështje që Brukseli e përmend çdo vit në raportet e tij, mirëpo vendi nuk e ka ndërmend të heqë dorë, madje i shton edhe më tepër procedurat e tilla.

“Përdorimi i procedurave të shkurtuara për miratimin e ligjeve u rrit edhe më tej, veçanërisht për projektligjet e propozuara nga deputetët, por këto procedura nuk duhet të keqpërdoren. Procedura me “flamur të BE-së” u zbatua në mënyrë të vazhdueshme për ligjet që synojnë harmonizimin e legjislacionit kombëtar me acquis-in e Bashkimit Evropian”, thuhet në raport.

Si sfidë kryesore të Kuvendit, procedurën e shkurtuar e përmendi edhe matja më e fundit e Indeksit Rajonal të Hapjes (IRH). Në vitin 2025, Kuvendi miratoi 220 ligje, nga të cilat 121, përkatësisht 55%, u miratuan me procedurë të shkurtuar. Edhe pse kjo paraqet ulje krahasuar me vitet e mëparshme, procedura e shkurtuar vazhdon të jetë mënyra dominuese e miratimit të ligjeve, u tha nga IRH.

Analiza tregon se një pjesë e konsiderueshme e ligjeve të miratuara me procedurë të shkurtuar kanë qenë të lidhura me harmonizime teknike dhe organizative me Ligjin për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore. Megjithatë, fakti që më shumë se gjysma e ligjeve janë miratuar me procedurë të shkurtuar tregon nevojën për përdorim më të madh të procedurës së rregullt legjislative, e cila siguron më shumë hapësirë për debat parlamentar, konsultime publike dhe pjesëmarrje të komunitetit profesional.

Eurointegrime Negociata RMV-BEKomisioni Evropian (KE)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutRaporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për MaqedoninëReforma në administratë