Drejtoria e Doganave njoftoi se në pikën kufitare “Bogorodicë” ka parandaluar kontrabandimin e gjarpërinjve të llojeve të mbrojtura. Bëhet fjalë për shtatë gjarpërinj të rinj, katër prej të cilëve ishin pitonë, si dhe një hardhucë, transmeton Portalb.mk.
„Me qëllim që t’i fuste ilegalisht në vend, autori i ka fshehur gjarpërinjtë, të cilët paraprakisht i kishte paketuar në kuti dhe shalle, nën ulësen e automjetit. Kryesisht bëhet fjalë për lloje të mbrojtura: dy pitonë të llojit ‘Carpet Spilota’, një piton i llojit ‘Short-tailed’, një piton i llojit ‘Brandly Carpet’, një gjarpër ‘Chinese Ring Rat’, si dhe një gjarpër i llojit ‘Reticulated Super Dwarf’. Mes gjarpërinjve të sekuestruar ndodhet edhe një gjarpër helmues i llojit ‘Baron Snake’“, njoftoi Dogana.
Gjarpërinjtë u zbuluan gjatë kontrollit të një automjeti të drejtuar nga një shtetas i Kosovës. Ata janë sekuestruar dhe do t’u dorëzohen institucioneve kompetente, ndërsa ndaj personit përgjegjës, sipas Drejtorisë së Doganave, është nisur procedura përkatëse.
“Theksojmë se tregtia me llojet e mbrojtura rregullohet rreptësisht dhe kërkon leje të detyrueshme, në përputhje me Konventën për Tregtinë Ndërkombëtare të Llojeve të Rrezikuara të Florës dhe Faunës së Egër. Çdo import pa këto leje konsiderohet i paligjshëm”, thuhet në njoftimin e Doganës.