Është një tragjedi e vërtetë që procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian po zgjat kaq shumë, thotë ish-kryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Papandreu, në një deklaratë për emisionin “Nadvoresna” të Televizionit të Maqedonisë (MRT), përcjellë SDK.
Si një nga autorët kryesorë të të ashtuquajturës Agjenda e Selanikut, të miratuar në Samitin e Selanikut në vitin 2003, ku BE-ja për herë të parë u zotua dhe premtoi të ardhmen evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Papandreu komentoi dokumentin e ri të Komisionit për Zgjerimin, duke theksuar se shteteve anëtare nuk duhet t’u lejohet ta përdorin të drejtën e vetos kundër vetë procesit evropian.
Papandreu i bëri thirrje BE-së që të përfshihet drejtpërdrejt në lehtësimin e dialogut dhe të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por edhe të çështjeve të tjera dypalëshe në Ballkan.
“BE-ja duhet të përfshihet më shumë dhe të ndihmojë. Kjo nuk vlen vetëm për problemin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por mendoj edhe për vende të tjera të Ballkanit Perëndimor që mund t’i bashkohen BE-së, si Kosova, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Këto janë çështje ku BE-ja duhet të ketë rol dhe të cilat, nëse nuk zgjidhen në mënyrë pozitive, mund të shndërrohen në probleme të ardhshme brenda vetë BE-së.
Evropa duhet jo vetëm të ketë një qasje pozitive, por edhe të jetë më aktive dhe të përpiqet t’i zgjidhë të gjitha këto çështje. Dhe këtë jo vetëm përmes qasjes së ngurtë ligjore, por duke u përfshirë drejtpërdrejt dhe duke marrë parasysh të gjitha prioritetet dhe shqetësimet, si të vendeve anëtare ekzistuese, ashtu edhe të vendeve kandidate”, deklaroi Papandreu.
Kujtojmë se, takimi midis ministrave të jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që u mbajt më 8 tetor në Sofje, nuk solli ndonjë rezultat konkret sa i përket rrugës së RMV-së drejt Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm i vendit, Timço Mucunski tha se pozicionet e Shkupit dhe Sofjes mbeten dukshëm larg njëra-tjetrës, ndërsa nga Bullgaria njoftuan se i kanë kërkuar Maqedonisë së Veriut të tregojë se kur planifikon t’i bëjë ndryshimet kushtetuese. Takimi u organizua me kërkesë të palës maqedonase, pasi këtë këshillë ia dha kryeministrit Hristijan Mickoski presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Shkup më 2 tetor.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan në vitin 2020, kur Sofja vendosi veto ndaj kornizës negociuese të vendit për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare. Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u gjet një kompromis. Maqedonia e Veriut pranoi që në Preambulën e Kushtetutës, përveç komuniteteve tashmë të përfshira, të shtohet edhe komuniteti bullgar.
Në bazë të këtij kompromisi, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Asnjë përparim në rrugën drejt BE-së, Petrova i kërkoi Mucunskit afat kohor se kur vendi do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese
- LEXO: “E palogjikshme” për Shkupin që BE-ja e ka përjashtuar nga plani: Edhe reforma, por edhe ndryshime kushtetuese