Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Qyteti i Shkupit dhe ZELS i dhanë mbështetje Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) për zgjidhjen e problemit ekzistues dhe nevojës për ndërtimin e varrezave për kafshët shtëpiake në komunat e vendit, transmeton Portalb.mk.
Sipas njoftimit, tani pritet të përcaktohen lokacionet në komunat ku do të vendosen varrezat dhe të planifikohet infrastruktura që duhet të ndërtohet atje, në mënyrë që ato të mund të vendosen plotësisht në funksion.
“Kjo do të përbëjë zgjidhjen e një problemi dhjetëvjeçar dhe fundin e praktikës që pas vdekjes, trupat e kafshëve shtëpiake të mos hidhen së bashku me mbeturinat komunale, ose të varrosen në hapësira publike dhe lokacione të tjera të papërshtatshme për këtë qëllim, për çka do të duhet të bëhet edhe ndryshimi i duhur i disa dispozitave ligjore”, deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Zllatko Perinski në takim.
Lidhur me problemin e qenve endacakë, parashikohet që ai të zgjidhet me përfshirjen e inspektorëve komunalë dhe inspektorëve lokalë të komunës.
“U diskutuan edhe zgjidhjet e propozuara për uljen e popullsisë së kafshëve endacake përmes krijimit të një sistemi të strehimeve në çdo komunë, gjë që gjeti mbështetje edhe nga Perinski, edhe nga Gjorgjievski, me premtimin se edhe vetëqeverisjet lokale do të përfshihen aktivisht në zbatimin e ndryshimeve ligjore”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Ndryshe, problemi me qentë endacakë mbetet i pazgjidhur në nivel shtetëror, qentë endacakë për çdo ditë rrezikojnë jetën e qytetarëve.