Komuna e Strugës për momentin nuk do të ndërtojë strehimore për qentë endacakë, pasi dje Këshilli Komunal nuk e miratoi studimin e fizibilitetit për zbatimin e projektit përmes modelit të partneritetit publik-privat, raporton SDK. Kështu, problemi me numrin e madh të qenve endacakë në qytet mbetet i pazgjidhur, ndërsa qentë do të vazhdojnë të enden rrugëve derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme, transmeton Portalb.mk.
Shumica e këshilltarëve thonë se nuk janë kundër ndërtimit të strehimores për qentë endacakë dhe se e mbështesin plotësisht nevojën për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë në Strugë. Por, ata reaguan se në studimin e fizibilitetit nuk ishte precizuar lokacioni i saktë ku duhet të ndërtohet objekti.
Sipas tyre, nuk është shpjeguar mjaftueshëm se pse Komuna e Strugës duhet të ndajë rreth 170.000 euro për tokë, kur në komunat e tjera që kanë ndërtuar strehimore toka u është dhënë pa kompensim.
“Dilema e vetme për të cilën bëmë disa pyetje kishte të bënte me lokacionin e planifikuar për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë. Por, për fat të keq, autori i studimit nuk ishte i pranishëm në sallë, ndërsa nga administrata komunale morëm vetëm përgjigje të pjesshme. Fillimisht pyetëm se pse ishte planifikuar shuma prej 175.000 eurosh për blerjen e tokës, kur Komuna e Strugës ka sipërfaqe të konsiderueshme toke me cilësi më të ulët të përshtatshme për këtë lloj objektesh. Në disa komuna të tjera, siç janë strehimoret “Shepa” në Kavadar dhe “Llajka” në Shkup, komunat kanë dhënë tokë pa kompensim për zbatimin e projekteve të tilla”, tha këshilltari i VMRO–DPMNE-së, Kosta Hiohi.
Studimi parashikonte ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacakë në një sipërfaqe prej 2.500 metrash katrorë, rreth dy kilometra nga qendra e Strugës, me të paktën 75 bokse. Vlera e parashikuar e investimit ishte 523.000 euro.
“Pyetja e dytë, dhe njëkohësisht më e rëndësishmja, kishte të bënte me lokacionin e saktë të strehimores së ardhshme. Edhe pse në studim thuhej se ai do të ndodhej rreth dy kilometra larg qytetit, ne kërkuam që të tregohej saktësisht se ku ishte planifikuar ndërtimi i tij. Edhe pse e mbështesim plotësisht nevojën për një zgjidhje urgjente dhe efikase për problemin me qentë endacakë, ne jemi të mendimit se nuk duhet të merren vendime të nxituara që mund të krijojnë probleme të reja në plan afatgjatë, siç po përballemi sot me pasojat e deponisë së egër”, tha Hiohi.
Sipas të dhënave të fundit zyrtare në Strugë dhe zonën përreth janë regjistruar mbi 600 qen endacakë, ndërsa vlerësohet se numri real është dukshëm më i lartë. Qyteti prej vitesh përballet me problemin me qentë endacakë, i cili, përveç rreziqeve të sigurisë për qytetarët, shkakton edhe shpenzime të konsiderueshme financiare për buxhetin komunal për shkak të kompensimit dhe procedurave gjyqësore në bazë të kafshimeve. Vetëm bazuar në këto dëmshpërblime dëmi për buxhetin komunal arrin në rreth një milion denarë në vit.
“Realizimi i këtij projekti do ta zvogëlojë numrin e qenve endacakë në Rajonin e Strugës, ndërsa me këtë edhe mundësinë e kafshimeve. Struga prej vitesh po përballet me këtë problem ndërsa tani, për herë të parë si Komunë, po bëjmë një hap më serioz përmes një partneriteti publik-privat për të ndërtuar një strehimore moderne që do të jetë tërheqëse dhe do ta nxisë strehimin e kafshëve. Ne nuk do të heqim dorë nga ky projekt”, tha Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Komuna e Strugës çdo vit ndan nga 500.000 denarë për kapjen dhe trajtimin human të qenve endacakë, me ç’rast trajtohen 13 deri në 24 kafshë në vit. Por, problemi vazhdimisht po përkeqësohet, ndër të tjera edhe për shkak të sjelljes së qenve nga komunat fqinje.
Kryetari i Komunës, Mendi Qyra, thotë se është vendosur një bashkëpunim me komunat fqinje për tu vënë çipa qenve, me qëllim që të parandalohet transferimi i tyre i pakontrolluar nga një komunë në tjetrën.