Iva Mihailova ka qenë në listën e ndalimit të MPB-së, nuk është regjistruar largimi i saj nga Maqedonia

Iva Mihailova, banore e Koçanit me shtetësi maqedonase dhe bullgare, ndaj së cilës po zhvillohet një gjykim në Koçan për shkak të një aksidenti trafiku me pasoja fatale, është larguar nga vendi së bashku me avokatin e saj dhe ka shkuar në Bullgari, ndonëse në kuadër të procedurës gjyqësore, si masë parandaluese, asaj i janë konfiskuar dokumentet personale, shkruan 360 shkallë, transmeton Portalb.mk.

Lajmin se Mihailova e ka kaluar kufirin maqedono-bullgar e shoqëruar nga avokati i saj bullgar, Nikolaj Dimitrov, e publikoi mëngjesin e sotëm televizioni bullgar BTV. Në një deklaratë për këtë medium, Mihailova tha se, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, kishte vendosur të kthehej në Bullgari.

“E kaluam kufirin me avokatin tim. Shëndeti im u përkeqësua, ai më mori dhe u kthyem në Bullgari pa asnjë problem. Në kufi e tregova letërnjoftimin tim maqedonas. Ndihem e sigurt në Bullgari. Në Maqedoninë e Veriut isha e përndjekur për shkak të prejardhjes sime bullgare dhe kjo ishte një nga arsyet pse më akuzuan“, deklaroi Mihailova për BTV-në.

E pyetur nëse ka ndërmend të kthehet në Maqedoni për gjykimin, seanca e radhës e të cilit është caktuar për 9 nëntor, ajo u përgjigj:

“Rasti vazhdon me mua ose pa mua. Do të shohim se si do të jetë”.

Në një deklaratë për BTV-në, avokati i saj, Nikolaj Dimitrov, refuzoi të tregojë se në cilën pikë kufitare kishin kaluar, duke thënë se nuk dëshiron t’u shkaktojë probleme personave që, sipas tij, u kishin ndihmuar. Ai pranon se veprimet e tyre mund të përbëjnë shkelje të masave të shqiptuara ndaj Mihailovës, por thotë se, sipas tij, e drejta për t’u trajtuar nga ana mjekësore ishte parimi kryesor që e udhëhoqi marrjen e këtij vendimi.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë njoftoi se nuk ishte informuar paraprakisht për rastin dhe pretendon se nuk kishte marrë pjesë në organizimin e kthimit të të resë Iva në Bullgari.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme fillimsht tha se në pikën kufitare maqedonase nuk është evidentuar dalja e Iva Mihailovës. Më pas në një njoftim shtesë, nga MPB thanë se, nuk është regjistruar as hyrja e saj legale në territorin e Bullgarisë. Këtë informacion MPB-ja e ka marrë përmes qendrës së përbashkët të kontaktit të të dyja vendeve, pas kontrolleve të kryera nga policia kufitare bullgare.

“Ministria e Punëve të Brendshme kreu kontrolle në sistemin e kontrollit kufitar, me ç’rast u konstatua se për personin Iva Mihailova, ndaj së cilës është në fuqi një ndalesë gjyqësore aktive, nuk ka të regjistruar dalje nga territori i Maqedonisë. Gjithashtu, përmes qendrës së përbashkët të kontaktit me Republikën e Bullgarisë, u kryen kontrolle edhe nga policia kufitare bullgare, nga e cila u mor informacioni se për personin në fjalë nuk ka të regjistruar hyrje legale në territorin e Republikës së Bullgarisë“, njoftuan nga MPB-ja.

Ambasada e Bullgarisë në RMVMarrëveshja me BullgarinëMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)