Ndryshime të reja në ligjin mjedisor, ambientalistët kërkuan që mbrojtja të mos mbetet në letër

Sot, më 13 tetor, në orën 12:00, në Kuvend do të mbahet seanca e Komisionit për Transport, Transformim Digjital, Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, ku do të shqyrtohen ndryshimet e Ligjit për Mjedisin Jetësor. Iniciativa O2 thotë se të premten ua kanë dorëzuar të gjithë deputetëve 17 propozim-amendamente duke shtuar se janë të njoftuar se afati i rregullt për dorëzimin e amendamenteve tashmë kishte kaluar, prandaj shtojnë ata, sot është vendimtare nëse vetë anëtarët e Komisionit do të marrin iniciativë për të propozuar amendamente të Komisionit, transmeton Portalb.mk.

Ata ftojnë mediat t’i pyesin drejtpërdrejt deputetët:

“A i keni shqyrtuar 17 propozim-amendamentet e dorëzuara? A do të propozoni ose mbështesni ndonjërin prej tyre sot? Nëse jo, pse?”.

“Propozojmë që deklaratat të merren para seancës, të përcillet vetë debati dhe pas votimit të kërkohet sërish qëndrimi i anëtarëve të Komisionit. Nëse nuk mund të dërgoni ekip, të njëjtat pyetje mund t’u parashtrohen menjëherë deputetëve edhe përmes telefonit”, thonë nga O2.

Amendamentet e propozuara, ndër të tjera, kanë të bëjnë me:

  • Pjesëmarrjen e publikut para marrjes së vendimeve.
  • Transparencën dhe të drejtën e ankesës edhe për elaboratet mjedisore.
  • Kriteret e qarta se cilat projekte duhet t’i nënshtrohen Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM).
  • Vlerësimin e detyrueshëm të ndotjes kumulative.
  • Lokacionet e kontaminuara dhe parimin “ndotësi paguan”.
  • Pjesëmarrjen e publikut që në fazën kur vendoset nëse do të ketë fare VNM.
  • Ndalimin e fshehjes si sekret afarist të informacioneve për emetimet që kanë rëndësi për mjedisin jetësor.
  • Detyrime konkrete dhe të verifikueshme për investitorët dhe monitorim publik.
  • Dëgjime publike reale, të paralajmëruara me kohë dhe të dokumentuara.

Veçanërisht me rëndësi thonë nga Iniciativa, është pyetja për Toni Jarevskin, anëtar i Komisionit dhe koordinator i Grupit Parlamentar të Gjelbër:

“A do të propozoni ose mbështesni personalisht sot ndonjërin prej 17 amendamenteve dhe çfarë do të bëni në të ardhmen që ligjet nga fusha e mjedisit jetësor të shqyrtohen me kohë në Grupin Parlamentar të Gjelbër?”.

“Është koha që fokusi i pyetjeve publike të zhvendoset te ata që kanë kompetencën dhe fuqinë për të vendosur, duke mos u përqendruar vetëm te kërkesat e shoqatave, por edhe te ajo se çfarë do të bëjnë deputetët, çfarë masash do të ndërmarrin, si do të veprojnë dhe nëse do ta shfrytëzojnë pozitën dhe fuqinë e tyre që gjendja të ndryshojë vërtet për të mirë”, thuhet në reagim.

Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj ditë më parë akuzoi se procedura për hartimin e ndryshimeve të Ligjit ishte plotësisht jotransparente, pasi ata nuk kanë marrë kurrë përgjigje për komentet e dorëzuara në mars të vitit 2025, ndërsa Drafti i Ligjit i publikuar në ENER dallon nga Propozim-Ligji i dorëzuar në Kuvend. Për më tepër, thonë ata, ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për mjedisin nuk i zgjidhin problemet në mbrojtjen e mjedisit, përkundrazi, krijojnë probleme të reja.

Ndryshimet e propozuara në Ligjin për mjedisin i kritikoi edhe organizata qytetare Eko Svest. Nga atje thanë se ndryshimet nuk janë në drejtim të përmbushjes së objektivave të Direktivës 2011/92/BE, por paraqesin ndryshime të pjesshme të neneve, të cilat nuk mund të kontribuojnë në zbatimin e duhur dhe efektiv të ligjit ekzistues për mjedisin dhe legjislacionit evropian.

EkologjiMinistria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)Mjedisi jetësorParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut