RMV për pavarësinë e saj pagoi 2.1 milionë euro për këngëtarët, por sërish nuk tregoi sa u paguan individualisht

Plot 129,3 milionë denarë, ose rreth 2,1 milionë euro, janë shpenzuar vetëm për honorarët e këngëtarëve dhe interpretuesve muzikorë të angazhuar për festimin e 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë. Të dhënat i publikoi sot zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, duke prezantuar raportin financiar për programin. Pavarësisht publikimit të shumës së përgjithshme, Qeveria sërish nuk tregoi se sa janë paguar secili individualisht prej emrave më të mëdhenj të muzikës, përfshirë David Guettan, transmeton Portalb.mk.

I gjithë festimi ka kushtuar 340,5 milionë denarë, përkatësisht rreth 5,5 milionë euro. Me këto mjete janë organizuar 18 ngjarje në 13 qytete.

Shpenzimet më të mëdha janë honorarët e interpretuesve, me 129,3 milionë denarë. Për produksion janë shpenzuar edhe 96,2 milionë denarë, për logjistikë 58,5 milionë, për honorarët e bashkëpunëtorëve 53,5 milionë, ndërsa për marketing rreth 2,8 milionë denarë.

Në festime performuan David Guetta, Steve Aoki, Paul van Dyk, Paul Oakenfold dhe José Carreras, si dhe një numër artistësh vendorë.

Vëmendjen më të madhe e tërhoqi koncerti i Guettas në Arenën Kombëtare “Todor Proeski”, të cilin, sipas Qeverisë, e ndoqën rreth 50.000 vizitorë. Megjithatë, as në prezantimin e sotëm nuk u bë e ditur se sa ishte honorari i tij.

Raporti që organizatori ia dorëzoi Qeverisë ka 81 faqe dhe përfshin detajet e produksionit, aspektet teknike, organizative dhe financiare. Megjithatë, në prezantimin publik shpenzimet u paraqitën sipas kategorive, e jo sipas interpretuesve.

Më herët, Qeveria pretendonte se për festimin nuk ishin përdorur mjete buxhetore. Sipas të dhënave të publikuara, 300 milionë denarë janë siguruar nga fitimi i pashpërndarë i Lotarisë Shtetërore për vitin 2024, ndërsa rreth 40 milionë denarë përmes donacioneve nga kompani.

Kështu, një muaj pas festimit, publiku më në fund e di faturën e përgjithshme – rreth 5,5 milionë euro.

Dihet edhe se 2,1 milionë euro kanë shkuar për artistët.

Por ende nuk dihet se sa nga këto para i janë paguar David Guettas dhe sa kanë kushtuar emrat e tjerë të mëdhenj të huaj.

Për shkak të mungesës së të dhënave të plota për vlerën e kontratave dhe shpenzimeve, në opinion u ngritën pyetje se sa para janë shpenzuar për festimet dhe nga cilat burime janë financuar ato. Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se festimet, përfshirë performancën e David Guettas, nuk i kanë kushtuar asnjë denar buxhetit dhe qytetarëve, ndërsa nga Lotaria Shtetërore kanë drejtuar pyetjet për shumën e parave te Qeveria. Межувреме, dokumentet e bëra publike tregojnë se organizimi është realizuar përmes Lotarisë Shtetërore dhe në kuadër të Ligjit për Sponsorizime dhe Donacione.

Pavarësia e Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së Veriut