Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën PET, njofton se duke filluar nga kjo fundjavë e gjatë – përfshirë festën e ardhshme – e duke vazhduar edhe në fundjavat në vijim, Qendra PET do të qëndrojë e hapur për pacientët me qëllim shkurtimin e kohës së pritjes, transmeton Portalb.mk.
Çdo ditë në listën e pritjes është një ditë pasigurie për pacientin dhe familjen e tij. Prandaj, në përputhje me planin e përcaktuar, Qendra PET po vijon punën gjatë fundjavave me një qëllim të qartë: të reduktojë listën e pritjes dhe t’i bëjë shërbimet diagnostikuese më shpejt të disponueshme për ata që kanë më shumë nevojë për to.
“Ne po e zbatojmë këtë riorganizim për të reduktuar listat e pritjes. Presim të vazhdojmë trendin e krijuar gjatë dy viteve të fundit, periudhë gjatë së cilës e kemi dyfishuar numrin e vendeve të disponueshme për takime. U shprehim falënderime të veçanta të gjithë profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe stafit, puna e palodhur dhe përkushtimi i të cilëve e bëjnë të mundur këtë”, tha Dr. Nevena Manevska, Drejtore e Qendrës PET.