Nga e hëna fillon zbatimi i “Qytetit të Sigurt” në Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se nga e hëna, më 12 tetor, sistemi i mbikëqyrjes së trafikut “Qyteti i Sigurt” do të fillojë të funksionojë edhe në rajonin e SPB-së Ohër, përkatësisht në Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër, transmeton Portalb.mk.

“Pas kontrolleve teknike dhe testimeve përfundimtare, kamerat e sistemit do të vihen në funksion në rrugët e rajonit të SPB-së Ohër”, bëjnë të ditur nga MPB-ja.

Zbatimin e sistemit “Qyteti i Sigurt” në territorin e SPB-së Ohër javën e kaluar e paralajmëroi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë vizitës në SPB-në Ohër dhe në Qendrën Rajonale Perëndim.

Me aktivizimin e sistemit, siç theksojnë nga Ministria, do të mundësohet kontroll më i shtuar dhe i vazhdueshëm i trafikut, zbulim në kohë i kundërvajtjeve në trafik, rritje e disiplinës në komunikacion dhe përmirësim i sigurisë rrugore.

MPB-ja u bën thirrje të gjithë shoferëve që t’i respektojnë me përpikëri rregullat dhe dispozitat e trafikut dhe, me sjellje të përgjegjshme, të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në komunikacion.

Ministri Toshkovski deklaroi në Ohër se, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këtë vit numri i personave të lënduar në aksidente trafiku është ulur për 20 për qind, përkatësisht janë regjistruar 34 viktima më pak.

Sistemi “Qyteti i Sigurt” për evidentimin automatik të kundërvajtjeve në trafik funksionon që nga 1 shkurti i këtij viti, ndërsa deri më tani janë evidentuar mbi me mijëra kundërvajtje në trafik.

Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ filloi vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)Qyteti i Sigurt safe city