Pas shumë pikëpyetjeve për shpenzimet e pavarësisë, u ‘ngjall’ Mickoski: David Guetta u kushtoi 0 denarë qytetarëve

Pas shumë kritikave dhe kërkesave për përgjigje nga opinioni publik lidhur me shpenzimet për koncertet me rastin e 35 vjetorit të pavarësisë, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se e gjithë festimi i pavarësisë ka kushtuar 0 denarë për buxhetin dhe qytetarët, përfshirë edhe performancën e yllit botëror David Guetta. Më herët, Prizma publikoi se thirrjen publike për të gjitha ngjarjet për shënimin e 35-vjetorit të pavarësisë e kishte publikuar Lotaria Shtetërore, në përputhje me Ligjin për Sponsorizime dhe Donacione, transmeton Portalb.mk.

“Kam një lajm të keq për të gjithë ata që spekuluan, kundërshtuan, shpifën, shpërndanë informacione të rreme, ndërsa unë heshta dhe nuk desha të flisja, sepse doja që gjithçka që përfaqësonte vërtet një moment të veçantë për qytetet në vend të ishte një moment i veçantë për qytetarët në të gjitha qytetet. Lajmi i keq është se të gjitha këto ngjarje i kushtojnë buxhetit 0 denarë. Të gjitha këto ngjarje qytetarëve dhe buxhetit u kushtojnë 0 denarë. Kontrolloni ‘Financat e Hapura’ dhe do të shihni se kjo u kushton qytetarëve dhe buxhetit 0 denarë. Gjithçka është organizuar nga kompani shoqërisht të përgjegjshme, ndaj më vjen keq që te disa persona funksionon Frojdi, të cilët mendojnë se ashtu siç kanë vepruar ata, do të veprojë edhe dikush tjetër. Por kjo është një qeveri e përgjegjshme, pro-Maqedonisë dhe pro-popullit, që kujdeset për qytetarët”, tha Mickoski.

“Të gjitha pyetjet për shumën e parave për festimet e 35-vjetorit të pavarësisë drejtojini Qeverisë”, tha për BIRN Aleksandar Klimovski, drejtori i Lotarisë Shtetërore, e cila kishte shpallur thirrjen për serinë e ngjarjeve.

Dokumentet e disponueshme publikisht zbulojnë se Qeveria më 28 prill të këtij viti vendosi që detyrën për organizimin e festimit t’ia besojë shoqërisë aksionare shtetërore.

Vetëm dy ditë pas asaj seance të Qeverisë, Lotaria shpalli thirrje publike, e cila, siç thotë Klimovski, është në përputhje me Ligjin për sponsorizime dhe donacione dhe për këtë arsye nuk figuron në sistemin e prokurimeve publike.

Më 30 prill u publikua: “Thirrje publike për mbledhjen e ofertave për realizimin e ngjarjeve të sponsorizuara me rastin e festimit të 35-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Thirrja u publikua në ueb-faqen e Lotarisë dhe në një gazetë ditore, me afat prej vetëm pesë ditësh pune për dorëzimin e ofertave. Thirrja përmbante përshkrime të sakta të ngjarjeve që më vonë u realizuan.

Kështu, kërkohej një artist botëror i klasës “A” me produksion të klasës “A”, i cili do të mbante një ngjarje ambient të hapur me pjesëmarrje të garantuar prej të paktën 30 mijë personash. Përshkrimi përputhet me performancën e mbrëmshme të DJ-it David Guetta.

Më pas kërkohej një “yll botëror ndërkombëtar i klasës A”, i shoqëruar nga artistë maqedonas, që përputhet me performancën e këngëtarit të operës Jose Carreras, së bashku me artistë të muzikës maqedonase.

Në fund, kërkohej edhe organizimi i të paktën 12 ngjarjeve në mbarë vendin, në formën e performancave teatrale dhe vizuale me konceptin “35 vjet Maqedoni e pavarur”. Identike me ngjarjet e titulluara “Fort shkëlqu dita”.

Të vetmit që iu përgjigjën thirrjes, sipas Klimovskit, ishin Avalon, përmes kompanisë së tyre “Stardust”. Për atë nëse koncepti që ata ofruan përputhej me kërkesat e thirrjes vendoste një komision i jashtëm i përbërë nga artistë.

Pesë ditë pas skadimit të thirrjes, përkatësisht më 12 maj, Boban Millosheski, si përfaqësues i Avalonit, dhe Marija Miteva, si përfaqësuese e Qeverisë, në një konferencë për media njoftuan se pavarësia do të festohej me DJ Guetta dhe prezantuan konceptin.

Që nga atëherë nisën edhe pyetjet për paratë që do të shpenzoheshin. Miteva atëherë tha se “publiku do të informohet me kohë dhe në mënyrë transparente në fazat kur të finalizohen të gjithë elementët programorë, produksioni dhe kontratat”.

Për paratë e shpenzuara për festimin nuk u përgjigj as Millosheski nga Avaloni, i cili pyetjen gazetareske e ktheu me kundërpyetje: “A të dukem si idiot?

Në mungesë të informacioneve zyrtare, ajo që deri tani mund të shihet nga publikimet publike në rrjetet sociale është se disa prej ngjarjeve kanë edhe sponsorë, ndër të cilët janë kompanitë më të mëdha në vend.

Deri tani janë organizuar gjithsej 16 ngjarje, ndërsa kanë performuar edhe DJ të tjerë të njohur botërorë.

Hristijan Mickoski HristianPavarësia e Maqedonisë së Veriut