Vrasësi serik nga rajoni i Kumanovës u dënua me burgim të përjetshëm

Gjykata Themelore në Kumanovë e dënoi Trajko Bojkovskin me burgim të përjetshëm për katër vrasje dhe dy tentativa për vrasjen e grave në rajonin e Nagoriçanit të Vjetër, transmeton Portalb.mk.

Bojkovski akuzohej për vrasjet e Stançe Karovskës, Janka Antevskës, Marija Marinkovskës dhe Mira Stankovskës, si dhe për tentativat për vrasjen e Rosanka Trajkovskës dhe Sllobotka Arsovskës.

Prokuroria kërkoi dënimin më të rëndë, burgim të përjetshëm, duke vlerësuar se provat e paraqitura vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit.

Në fjalët përfundimtare, prokurori theksoi se viktimat ishin vrarë në mënyrë të ngjashme, ndërsa si provë të rëndësishme përmendi edhe gjurmët e ADN-së të gjetura te disa prej viktimave dhe te njëra prej grave që i mbijetoi sulmit.

Prokurori Ljubomir Llape vlerësoi se ekspertiza psikiatrike tregon rrezik të lartë për përsëritjen e veprave penale dhe se ekzistojnë pengesa serioze për risocializimin e të akuzuarit.

Sipas Prokurorisë, pikërisht këto rrethana janë ndër arsyet për të cilat u kërkua burgim i përjetshëm. Në seancën e mëparshme, të mbajtur më 28 shtator, Bojkovski pranoi fajësinë për tri vrasje, ndërsa të katërtën e mohoi.

Njëzet e pesë vjeçari Bojkovski nga fshati Malotinë në komunën e Nagoriçanit të Vjetër u arrestua më 13 shkurt të këtij viti si i dyshuar për vrasjen e një banores 78-vjeçare të fshatit Çellopek. Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë hapi hetim për rastin, dhe gjithashtu tha se në veprime të koordinuara me Ministrinë e Brendshme dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore tashmë po punojnë për ta lidhur këtë rast me disa ngjarje të tjera të ngjashme. I dyshuari iu nënshtrua edhe një vlerësimi psikiatrik nga një ekip ekspertësh.

Burg - BurgimFemicidGjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorKumanovaTentim vrasjeVrasje - Ekzekutim