Më 28 tetor, në Filarmoni, do të promovohet zyrtarisht aplikacioni mobil “m.Shërbime”, përmes të cilit qytetarët do të mund të kenë qasje në një vend të vetëm në dokumentet personale në formë digjitale, si dhe në shërbimet elektronike të administratës. Datën e promovimit të mjetit digjital e bëri të ditur ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, gjatë paraqitjes së mbrëmshme në edicionin e lajmeve të MRT1. Ai shtoi se në këtë ngjarje do të flasë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili do të prezantojë drejtimet dhe prioritetet e digjitalizimit të shtetit, transmeton Portalb.mk.
“Mund ta njoftoj zyrtarisht se promovimi do të mbahet më 28 tetor në Filarmoninë e Maqedonisë. Unë do të prezantoj pamjen dhe funksionalitetet e aplikacionit, ndërsa kryeministri do të flasë më gjerësisht për drejtimin në të cilin po ecim sa i përket digjitalizimit”, tha ministri.
Sipas tij, aplikacioni është në fazën përfundimtare të testimit dhe, pas vënies në përdorim, qytetarët do të mund ta shkarkojnë përmes platformave Google Play dhe App Store.
Siç shpjegoi ai, qytetarët do të mund të kyçen në aplikacion përmes llogarisë së tyre në Portalin Kombëtar për Shërbime Elektronike – uslugi.gov.mk, ku do të kenë qasje në të dhënat e tyre dhe në funksionalitetet që ofron aplikacioni.
Aplikacioni “m.Uslugi” do të mundësojë qasje në versionin elektronik të letërnjoftimit dhe patentë-shoferit, ndërsa fillimisht do të ofrojë edhe tri shërbime për qytetarët.
Duke folur për këtë temë, Andonovski theksoi sigurinë e aplikacionit dhe bëri të ditur se shkarkimi i tij do të jetë falas, ndërsa përdorimi vullnetar, pra jo i detyrueshëm.
“Ky do të jetë hapi ynë i parë drejt portofolit digjital. Aplikacioni mund të shkarkohet falas dhe nuk është i detyrueshëm, por do të ofrojë shumë lehtësira të reja. Fokusi ynë do të jetë që shteti të jetë i qasshëm përmes telefonit mobil, pra në pëllëmbë të dorës”, tha ministri i Transformimit Digjital.
Andonovski foli edhe për zhvillimin e mëtejshëm të aplikacionit, duke theksuar se tashmë janë duke u zhvilluar bisedime me Ministrinë e Shëndetësisë për të dhënat nga “m.Shëndeti”, si dhe me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë për kartelën evropiane të të rinjve.
Qëllimi përfundimtar, tha ai, është që “m.Shërbime” gradualisht të shndërrohet në një portofol digjital me më shumë dokumente dhe shërbime të qasshme në një vend të vetëm.
Sa i përket pranimit të dokumenteve elektronike nga institucionet, ministri tha se ky proces do të zhvillohet gradualisht, pasi do të kërkojë ndërhyrje në aktet nënligjore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Në këtë kontekst, Andonovski rikujtoi se për pranimin e dokumenteve të tjera elektronike ishin bërë ndryshime në rreth 100 ligje.
Ai gjithashtu theksoi se Bashkimi Evropian (BE) kërkon përdorimin e detyrueshëm të portofolit digjital nga viti 2027.
“Te ne përdorimi nuk është i detyrueshëm, por njëkohësisht do të bëjmë përpjekje që institucionet të fillojnë t’i pranojnë dokumentet elektronike. Ky do të jetë një proces, pasi do të duhet të ndryshohen edhe aktet nënligjore. Hap pas hapi, me ndërtimin e kapaciteteve, do të zgjerohet edhe pranimi i tyre”, tha Andonovski.
Sipas ministrit, futja e shërbimeve digjitale do t’ua lehtësojë përditshmërinë qytetarëve. Ai shtoi se edhe komentet e deritanishme për këtë nismë janë përgjithësisht pozitive.
“Deri tani po dëgjoj vetëm komente pozitive, ndërsa ne do të bëjmë gjithçka që nevojitet që kjo të funksionojë në interes të qytetarëve”, përfundoi Andonovski.