Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon hetim të plotë për rastin e dy të rinjve të moshës 21 dhe 23 vjeç, të cilët, sipas deklaratave të tyre, u keqtrajtuan brutalisht nga policia. Sipas informacionit, raporti i brendshëm i policisë pohon se të rinjtë ia morën armën një zyrtaru policie, ndërsa, sipas deklaratave të tyre, arma përfundoi në automjetin e tyre pasi policia ua theu xhamin. Ata gjithashtu deklarojnë se policia qëlloi me armë, preu gomat e automjetit të tyre dhe më pas i keqtrajtoi, pasi ua lidhi duart dhe i detyroi të shtriheshin përtokë, transmeton Portalb.mk.
Nga BDI kërkojnë hetim të menjëhershëm për të hedhur dritë të plotë mbi ngjarjen, si dhe përgjegjësi për çdo shkelje nga zartarët e policisë, dhe kërkojnë dorëheqjen e zëvendësministrit të Brendshëm, Astrit Iseni.
“Kërkojmë hetim të menjëhershëm, të paanshëm dhe transparent për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe përgjegjësi për çdo shkelje nga ana e zyrtarëve policorë. Heshtja dhe mungesa e përgjegjësisë nuk janë opsion! BDI kërkon dorëheqjen e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, si dhe përgjegjësi të plotë institucionale për këtë rast. Të drejtat e qytetarëve dhe dinjiteti i tyre nuk mund të shkelen nga ata që kanë për detyrë t’i mbrojnë”, thuhet në reagim.
Zbardhjen e rastit e kërkuan edhe ngaAleanca për Shqiptarët nga ku thanë që të bëhet hetim të shpejtë dhe transparent, pa asnjë përpjekje për relativizimin e rastit. Ata konsiderojnë se çdo tejkalim i autorizimeve, përdorim i paarsyeshëm i forcës ose keqtrajtim duhet të marrë përgjigjen e duhur institucionale dhe ligjore.
“Në këtë situatë, heshtja e VLEN-it dhe e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, është e papranueshme. Kur je pjesë e udhëheqjes së MPB-së, përgjegjësia nuk përfundon me deklarata politike. Nevojiten veprime, transparencë dhe përgjegjësi. Aleanca për Shqiptarët kërkon që hetimi të përfundojë pa vonesa, rezultatet të publikohen për opinionin dhe, nëse konstatohet keqpërdorim i detyrës zyrtare ose dhunë ndaj të rinjve, përgjegjësit të sanksionohen pa përjashtim”, thonë nga partia.
Edhe Lidhja Shqiptare dënoi ashpër dhunën e ushtruar nga ana e pjestarë të policisë ndaj të rinjëve shqiptarë në Shkup, që siç thonë ata, sipas informacioneve nuk është rast i izoluar dhe as i pari.
“Sjellja e këtillë e kriminelëve të veshur me petkun e policisë nuk është asgjë tjetër vetëm se represion i aparatit shtetëror ndaj shqiptarëve, ngjashëm si në kohën e Gruevskit kur po e njëjta polici nga njëra anë dhe huliganë maqedonas nga ana tjetër, ushtronin dhunë ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Shkup dhe jo vetëm. Ky rast nuk duhet të kalojë vetëm me hetime dhe sanksionime diciplinore ndaj policëve, por të shqyrtohet si një vepër e rëndë penale dhe autorët të marin dënimin e merituar, ndërsa përveç autorëve të këtij krimi duhet të ketë edhe përgjegjësi komanduese e politike nga drejtuesit e “MVR-VMRO” dhe dorëheqje të menjëhershme të Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe zëvendës ministrit, Astrit Iseni”, thonë nga LSH.
Lidhja Shqiptare u bën thirje edhe përfaqësuesve diplomatik të vendeve evropiane, SHBA dhe BE, që të reagojnë “për të parandaluar skenaret e errëta anti shqiptare të këtij pushteti policor”.
“I bëjmë thirje poashtu misionit të OSBE-së, Komitetit të Helsinkut dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, që të evidentojë dhe raportojë dhunën kriminalo-policore ndaj të rinjëve shqiptare të cilëve u janë cënuar edhe të drejtat më elementare, përfshirë edhe të drejtën e jetës dhe shëndetit. Për këtë qëllim Lidhja Shqiptare u është drejtuar me një letër zyrtare përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare të akredituara në vend”, thuhet në reagim.
Ministria e Punëve të Brendshme do ta hetojë rastin në të cilin dy persona pretendojnë se janë sulmuar fizikisht nga zyrtarë policorë gjatë ndërhyrjes së tyre. Ata kanë deklaruar se policët ua kanë dëmtuar edhe automjetin.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi sot se ka urdhëruar Departamentin për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale që ta hetojë rastin.
“Departamenti po ndërmerr masa dhe aktivitete për të përcaktuar plotësisht gjendjen faktike dhe rrethanat e ngjarjes, si dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme të zyrtarëve policorë të përfshirë. Pas përcaktimit të gjendjes faktike, do të ndërmerren masat përkatëse në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa publiku do të informohet me kohë”, thonë nga MPB-ja.