Shkupjanët filluan të thithin ajër të ndotur edhe para fillimit të sezonit të ngrohjes. Ditëve të fundit, me uljen e temperaturave, përqendrimet e grimcave PM2.5 në disa komuna e tejkalojnë kufirin maksimal të lejuar, ndërsa të larta janë edhe vlerat e grimcave PM10. Sipas të dhënave nga Sistemi Shtetëror Automatik i Monitorimit të Cilësisë së Ajrit, pranë Ministrisë së Mjedisit Jetësor, gjatë tri ditëve të fundit përqendrimet e PM2.5 kanë qenë mbi 25 mikrogramë për metër kub në dy nga katër lokacionet ku maten, në Gazi Babë dhe Karposh. Ndërkohë, monitorimi shtetëror aktualisht nuk ofron të dhëna për pikat matëse pranë Rektoratit, në Lisiçe dhe Gjorçe Petrov, transmeton Portalb.mk.
Ndotje me grimca PM2.5 mbi kufijtë e lejuar ditëve të fundit është regjistruar edhe në pikat matëse në Gostivar dhe Kumanovë. Në Tetovë, vlerat arrijnë deri në 39 mikrogramë, ndërsa ky qytet ditëve të fundit kryeson edhe për përqendrimet e PM10, të cilat tejkalojnë 75 mikrogramë për metër kub. Në Shkup, ndërkaq, pikat matëse në Lisiçe dhe pranë Rektoratit ditëve të fundit kanë regjistruar ndotjen më të lartë të ajrit me PM10, pothuajse në kufirin maksimal prej 50 mikrogramësh.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit Jetësor, vlera mesatare ditore e PM10 nuk duhet ta tejkalojë nivelin prej 50 µg/m³ më shumë se 35 herë gjatë një viti kalendarik, ndërsa vlera mesatare vjetore nuk duhet të jetë më e lartë se 40 µg/m³.
Megjithatë, vitin e kaluar, në të gjitha pikat matëse në vend, përveç në Lazaropole, ndotja e ajrit e kishte tejkaluar kufirin e lejuar për më shumë se 35 ditë gjatë vitit. Situata më e keqe ishte në Strumicë, ku në 108 ditë u regjistrua ndotje me vlerë mesatare ditore mbi maksimumin prej 50 mikrogramësh. Gjendje e ngjashme ishte edhe në Kavadar, me 105 ditë, në Kërçovë me 105 ditë, në Lisiçe me 104 ditë dhe në Qendër me 101 ditë.
Sa i përket përqendrimit mesatar vjetor të PM10, ai është tejkaluar në nëntë nga gjithsej 17 pikat matëse për të cilat monitorimi shtetëror ka të dhëna. Vlera më e lartë është regjistruar në Lisiçe, me 49 mikrogramë për metër kub, në Kërçovë me 47, në Strumicë me 46,9 dhe në Kavadar me 46 mikrogramë.
Ndërkaq, vlera mesatare vjetore e PM2.5 nuk duhet të tejkalojë 25 µg/m³. Megjithatë, analizat e Monitorimit Shtetëror tregojnë se gjatë vitit 2025 kjo vlerë është tejkaluar në dhjetë nga gjithsej 18 lokacionet në vend ku maten grimcat PM2.5. Ajri më i ndotur është regjistruar në Kërçovë, me një vlerë mesatare prej 31 mikrogramësh, në Strumicë me 29 dhe në Gostivar me 27 mikrogramë. Në Shkup, përqendrimi mesatar më i lartë i PM2.5 vitin e kaluar është matur në Lisiçe, me 27,7 mikrogramë, dhe në Karposh, me 26,6 mikrogramë.