Rasti Iva Mihaillova përplasi VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në për raportin mjekësor dhe largimin nga vendi

VMRO-DPMNE kërkon hetim për raportin mjekësor të Iva Mihaillovës, duke ngritur dyshime për përfshirjen e liderit aktual dhe ish-liderit të LSDM-së, Venko Filipçe dhe Zoran Zaev, në përgatitjen e dokumentit që rekomandon trajtimin e saj jashtë vendit. Nga ana tjetër, LSDM akuzon pushtetin se po e përdor rastin për fushatë politike dhe për të zhvendosur përgjegjësinë për largimin e Mihaillovës nga vendi, transmeton Portalb.mk.

Sipas VMRO-DPMNE-së, raportin mjekësor e ka përgatitur neurologu Ivan Barbov, i cili në vitin 2017, gjatë qeverisjes së LSDM-së, ishte emëruar drejtor i Klinikës së Neurologjisë. Në raport thuhet se metodat e nevojshme për trajtimin e Mihaillovës nuk zbatohen në Maqedoninë e Veriut, prandaj rekomandohet trajtimi në Bullgari ose Turqi. Partia pyet nëse Filipçe dhe Zaev kanë ndërhyrë te mjeku dhe kërkon që institucionet kompetente ta hetojnë rastin.

“Doktor Barbov nuk është i panjohur për publikun maqedonas. Ai është person i dënuar ligjërisht në çështjen penale ‘Metastaza’, ku është një nga të pandehurit që u ndoq penalisht për ndërmjetësim në dhënien e pensioneve të invaliditetit. Sipas informacionit të publikuar në atë kohë, Barbov dhe të tjerët kanë ngarkuar nga 1.500 deri në 4.000 euro për aplikant, me qëllim dhënien e pensioneve të invaliditetit në mënyrë të paligjshme, ku në dy vitet që vepronte grupi, ata fituan 165.000 euro, por dëmtuan edhe Fondin e Shëndetësisë për 53.000 euro”, tha VMRO-DPMNE.

LSDM, ndërkaq, pretendon se largimi i Mihaillovës nga vendi është rezultat i marrëveshjeve të fshehta mes pushtetit dhe palës bullgare. Sipas opozitës, ministri i Jashtëm Timço Mucunski ka negociuar, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski e ka lejuar kalimin e kufirit, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski ka dhënë miratimin. LSDM kërkon përgjegjësi për të gjithë të përfshirët dhe dorëheqjen e Toshkovskit, duke akuzuar pushtetin se po e përdor drejtësinë për fushatë politike.

“Pas shpinës së popullit, ata bënë marrëveshje me Bullgarinë dhe e lanë Iva Mihaillovën të kalonte kufirin. Mucunski negocioi, Toshkovski e la të lirë dhe Mickoski tundi kokën. Në vend të përgjegjësisë nga Toshkovski, populli tani po shikon teatër. Ambasadori bullgar po thirret, po lëshohet urdhër arresti, po kërkohet paraburgim, përgjegjësia po i kalohet dikujt tjetër, po zhvillohet një fushatë mediatike, Filipçe, Zaev, LSDM po fajësohen”, reagon LSDM.

Mihaillova është e akuzuar në një proces gjyqësor në lidhje me një aksident trafiku me pasoja fatale në Koçan.

BullgariaLidhja Social Demokrate (LSDM)Marrëveshja me BullgarinëVMRO-DPMNE