Ashtu si në shumë shkolla profesionale në vend, edhe në shkollat e mesme profesionale të Tetovës nxënësve iu mungojnë librat, ndërsa mësojnë nga skriptet dhe materialet shoqëruese. Derisa problemi nuk zgjidhet me vite, Ministria e Arsimit arsyetohet se nuk ka para të mjaftueshme për ta zgjidhur përnjëherë këtë çështje, shkruan Portalb.mk.
Nga shkolla shtetërore profesionale “Mosha Pijade” në Tetovë e konfirmojnë se kanë mungesë të librave në disa lëndë të caktuara. Zëvendësdrejtori Faton Mustafi tha se kërkesa nga ana e shkollës është dërguar dhe tashmë ka filluar furnizimi i shkollës dhe i nxënësve me libra.
“Realisht nxënësit do t’i kenë librat shumë shpejt, pasi procesi është në vijim e sipër dhe dinamika me të cilën ministria i është përgjigjur kërkesës sonë është në nivelin e duhur. Ekzistojnë disa lëndë profesionale ku kemi problem me mungesën e librave, por për shkak se jemi shkollë profesionale, nga ana e mësimdhënësve nuk ka mungesë të njësive mësimore, por vetëm mungesë të librit fizik”, tha Mustafi.
Nazmi Dauti nga Sektori për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës thekson se mungesa e librave vërehet te shkollat profesionale si tekstilja dhe ajo e mjekësisë, për dallim nga gjimnazi dhe ekonomia ku ka libra.
“Për disa lëndë tekste aspak nuk ekzistojnë në nivel të Republikës, sidomos në shkollën e mesme tekstile dhe në atë të mjekësisë, ku libra të caktuar të lëndëve profesionale mungojnë plotësisht”, tha Dauti.
I pyetur për këtë problem, zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani për Portalb.mk theksoi se nxënësit e shkollave profesionale i kanë librat në dispozicion në formë elektronike, ndërsa një pjesë e tyre i kanë edhe në formë të shtypur.
“Jam i vetëdijshëm se ekziston problematika me librat, por edhe këtë po e zgjidhim gradualisht. Nëse do të ndërmerrnim një operacion të tillë për ta zgjidhur menjëherë të gjithë problemin me librat për drejtimet profesionale, kjo do të ishte shumë e kushtueshme për ministrinë”, tha Sulejmani.
Ai shtoi se kjo mënyrë e furnizimit është në përputhje me Ligjin për arsimin fillor dhe të mesëm, i cili lejon që librat të jenë në dispozicion të nxënësve në formë të shtypur ose elektronike.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit dhe Shkencës (MASH), Vesna Janevska, pati premtuar se nga një shtatori të gjithë nxënësit nga shkollat fillore dhe të mesme do të kenë në duart e tyre tekste shkollore. Por realiteti në disa shkolla e tregon të kundërtën.
Ndryshe, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Arsimit në vitin shkollor 2026/2027 në shkollat profesionale u regjistruan rreth 10.800 nxënës.
- LEXO: Ministria e Arsimit “s’ka para” për t’i siguruar librat për shkollat profesionale, Sulejmani: Po e zgjidhim gradualisht
- LEXO: Realiteti në shkolla profesionale e demanton Janevskën: Nxënësit ende pa libra, mësojnë nga skriptat
- LEXO: Të gjithë nxënësit e Maqedonisë së Veriut më 1 shtator do të kenë libra, premtoi ministrja Vesna Janevska