Policia Pyjore në RMV: U sekuestruan mbi 500 metra kub lëndë drusore dhe u parashtruan 140 denoncime

Policia Pyjore ka ndërmarrë aksione të intensifikuara kundër prerjes së paligjshme të pyjeve në të gjithë territorin e vendit. Gjatë muajit shtator dhe në fillim të tetorit janë sekuestruar mbi 500 metra kub lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme, ndërsa janë parashtruar 140 denoncime, transmeton Portalb.mk.

Gjithashtu, janë konfiskuar përkohësisht 13 automjete transportuese, 17 automjete për pasagjerë, nëntë traktorë, si dhe motosharra, rimorkio, sëpata dhe mjete të tjera të përdorura për prerjen dhe transportin e paligjshëm të druve.

Aksionet po zhvillohen paralelisht me kontrollet e rregullta të përditshme, duke i kushtuar vëmendje të veçantë zonave ku është më e theksuar veprimtaria e grupeve të organizuara të prerësve të paligjshëm të pyjeve. Kontrollet synojnë gjithashtu parandalimin e furnizimit të paligjshëm me dru të popullsisë dhe të kapaciteteve prodhuese, veprimtari këto që shkaktojnë dëme të konsiderueshme në fondin pyjor.

“Aksionet e intensifikuara do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, në të gjithë territorin e vendit. Mbrojtja e pyjeve është interes publik dhe përgjegjësi e jona institucionale. Policia Pyjore gëzon mbështetjen e plotë të Ministrisë për të vepruar me vendosmëri dhe në mënyrë konsekuente kundër prerjes, transportit dhe tregtisë së paligjshme të druve, në kuadër të kompetencave të saj ligjore”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski.

Në prag të sezonit të ngrohjes, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave u bën thirrje qytetarëve që të blejnë dru për ngrohje vetëm nga shitës dhe depo të licencuara. Furnizimi me dru nga burime të ligjshme kontribuon drejtpërdrejt në parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe në mbrojtjen e pyjeve.

Njëkohësisht, qytetarët ftohen të raportojnë çdo dyshim për prerje, transport apo shitje të paligjshme të druve pranë Policisë Pyjore dhe organeve të tjera kompetente.

Dru për ngrohjeNP "Pyjet e Maqedonisë"