Me prezantimin e provave të propozuara nga mbrojtja, sot në sallën e gjyqit në burgun “Idrizovë”, pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup, pritet të vazhdojë gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, transmeton Portalb.mk.
Në seancën e kaluar, Prokuroria i parashtroi pyetje të kryqëzuara ekspertit Petre Ruseski, i cili ka përgatitur ekspertizë ndërtimore për mbrojtjen. Ai mbeti në qëndrimin se, nga aspekti ndërtimor, objekti nuk i është nënshtruar rikonstruksionit dhe as ndryshimit të destinimit, por bëhej fjalë vetëm për rregullimin e brendshëm.
Sipas pretendimeve të ekspertit Ruseski, objekti që nga fillimi është projektuar dhe ndërtuar për qëllime afariste, gjë që, sipas Ligjit për Ndërtim, e bën atë objekt të të njëjtit lloj edhe pas përshtatjes së tij në diskotekë.
Në fillim të pyetjeve të kryqëzuara, Prokuroria vuri në pikëpyetje ekspertizën profesionale dhe kredibilitetin e ekspertit Petre Ruseski, duke ngritur çështje lidhur me arsimimin e tij dhe njohuritë për Ligjin për Ndërtim. Mbrojtja reagoi me kundërshtime, duke kërkuar që pyetjet të përqendroheshin në çështje thelbësore për të hedhur poshtë konstatimet e ekspertizës. Ajo paralajmëroi se, nëse ekspertizat e Prokurorisë dhe të mbrojtjes nuk përputhen, do të kërkojë një super-ekspertizë në fushën përkatëse.
Prindërit e fëmijëve që humbën jetën në zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan reaguan në një deklaratë për mediat, duke pyetur se si është e mundur që mendimi i ekspertit të mbrojtjes të përdoret për të kundërshtuar të gjithë ekspertizën, kur ai shprehet vetëm për aspektin ndërtimor dhe nga përgjigjet e tij shihet se nuk mund t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve që dalin nga ekspertiza e Prokurorisë.
“Ekspertiza e Prokurorisë nuk përfshin vetëm aspektin ndërtimor, por disa fusha – urbanistikën, ndërtimtarinë, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, mbrojtjen nga zjarri dhe çështje të tjera që lidhen me rastin. Prandaj, nëse eksperti i mbrojtjes nuk mund të japë mendim profesional për të gjitha këto fusha, atëherë mendimi i tij kufizohet vetëm në atë për të cilën është thirrur dhe për të cilën ka kompetencë profesionale. Tani, kur mbrojtja kërkon super-ekspertizë, i mbetet gjykatës të vlerësojë nëse vërtet ekzistojnë kundërthënie thelbësore dhe të pazgjidhshme ndërmjet ekspertizave, apo nëse sërish kërkohet një ekspertizë e re vetëm sepse ajo ekzistuese nuk i konfirmon tezat e mbrojtjes”, deklaroi Aleksandar Naunov.
Rastin e gjykon gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.