Hetimet financiare, konfiskimi i pasurisë, rritja e proaktivitetit, profesionalizmit dhe efikasitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimi i qendrave hetimore dhe shtimi i burimeve dhe kuadrove janë ndër prioritetet e pesë prokurorëve Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva dhe Jovan Cvetanovski, njëri prej të cilëve pritet të zëvendësojë Islam Abazin, transmeeton Portalb.mk.
Nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, ata u dërguan mesazh kolegëve të tyre nga i gjithë vendi të cilët do të votojnë për drejtuesin e ri të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK).
Çfarë u zotuan prokurorët?
“Metodologji e qartë për hetimet financiare”, premtoi Trajçe Pelivanov.
“Prokurori publik duhet ta njohë strukturën e krimit, siç janë mafiet që merren me drogë dhe armë, por edhe llojet e krimit që ndodhin në arsim dhe në shëndetësi”, tha Lidija Raiçeviq.
“Proaktivitet më i madh për rastet që janë në listën e zezë dhe luftë më e intensifikuar kundër larjes së parave, veçanërisht në ndërtimtari”, tha Faton Azizi.
“Të hartohet një protokoll me masa të parashikueshme për çdo ngjarje penalo-juridike”, tha Jovan Cvetanovski.
“PTHP NKOK duhet të hetojë kriminalitetin që shpreh interesin më të gjerë publik, i cili e gërryen shoqërinë tonë, ua cenon qetësinë qytetarëve dhe e pamundëson përparimin. Ky është, natyrisht, krimi i organizuar”, tha Iskra Haxhi Vasileva.
Gjithsej 188 prokurorë kanë të drejtë vote dhe do të zgjedhin mes pesë kandidatëve më 28 tetor.