Kryeministri Hristijan Mickoski konsideron se zgjidhja e bllokadës me Bullgarinë duhet të kërkohet përmes dialogut dhe pret që bisedimet të vazhdojnë, me afrimin e qëndrimeve dhe arritjen e një kompromisi, transmeton Portalb.mk.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se ku e sheh zgjidhjen pas deklaratave se nuk do të ketë rinegocim dhe ndryshime kushtetuese me efekt të shtyrë, Mickoski tha se është i kënaqur që dialogu ka nisur dhe se partnerët ndërkombëtarë janë të informuar për të.
“E bukura e demokracisë është të bisedosh kur ke qëndrime të ndryshme, ndërsa mjeshtëria në demokraci qëndron në afrimin e këtyre qëndrimeve të ndryshme dhe arritjen e një kompromisi në fund. Pres që dialogu të vazhdojë dhe që, në një moment të caktuar, qëndrimet të afrohen dhe të arrijmë një zgjidhje”, deklaroi Mickoski nga Kalaja e Shkupit, ku mori pjesë në inspektimin e aktiviteteve përfundimtare për rinovimin dhe vënien në funksion të dy muzejve.
I pyetur nëse është paralajmëruar një takim i ri para samitit të dhjetorit, kryeministri nuk dha një datë konkrete.
“Procesi le të ecë në rrjedhën e tij të natyrshme. Për gjithçka që duhet të dijë opinioni publik, do të informohet me kohë”, tha ai.
Takimi midis ministrave të jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që u mbajt më 8 tetor në Sofje, nuk solli ndonjë rezultat konkret sa i përket rrugës së RMV-së drejt Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm i vendit, Timço Mucunski tha se pozicionet e Shkupit dhe Sofjes mbeten dukshëm larg njëra-tjetrës, ndërsa nga Bullgaria njoftuan se i kanë kërkuar Maqedonisë së Veriut të tregojë se kur planifikon t’i bëjë ndryshimet kushtetuese. Takimi u organizua me kërkesë të palës maqedonase, pasi këtë këshillë ia dha kryeministrit Hristijan Mickoski presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Shkup më 2 tetor.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan në vitin 2020, kur Sofja vendosi veto ndaj kornizës negociuese të vendit për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare. Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u gjet një kompromis. Maqedonia e Veriut pranoi që në Preambulën e Kushtetutës, përveç komuniteteve tashmë të përfshira, të shtohet edhe komuniteti bullgar.
Në bazë të këtij kompromisi, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Asnjë përparim në rrugën drejt BE-së, Petrova i kërkoi Mucunskit afat kohor se kur vendi do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese
- LEXO: “E palogjikshme” për Shkupin që BE-ja e ka përjashtuar nga plani: Edhe reforma, por edhe ndryshime kushtetuese