Bozhinovska: Po bëjmë gjithçka që të mos ketë goditje të çmimeve për qytetarët

Qeveria po bën gjithçka që të mos ketë goditje të çmimeve dhe do të ndërmarrë të gjitha masat që qytetarët të kenë gjithmonë energji elektrike dhe furnizim të sigurt me energji, deklaroi ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, Sanja Bozhinovska, në një intervistë për MIA-n, transmeton Portalb.mk.

“Ne si Qeveri po bëjmë gjithçka që të mos ketë goditje të çmimeve për qytetarët, pasi në modelin e parë tarifor përfshihet pjesa më e madhe e popullsisë, përkatësisht rreth 80 për qind. Do të bëjmë gjithçka që të mos ketë shtrenjtim, por e dini se ekzistojnë pasiguri. Ja, e patë se çfarë mund të shkaktojë lufta në Iran në nivel global. Ka gjëra që thjesht nuk mund t’i kontrollojmë, por sa i përket prodhimit, do të bëjmë gjithçka që ai të jetë në nivel të shkëlqyer, pra do të përpiqemi të mos ketë goditje të çmimeve”, thotë ajo.

Lidhur me mundësinë që vitin e ardhshëm të zgjatet periudha e tarifës së lirë të energjisë elektrike, ministrja përgjigjet:

“Sa i përket tarifës së lirë, kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë tha se atje po bëjnë disa analiza dhe do të shohim, pasi tashmë në vend kemi një numër të madh të paneleve fotovoltaike. Analizat i bën Komisioni Rregullator, prandaj do të takohem me kryetarin dhe do të shohim se çfarë mund të bëhet, gjithçka në të mirë të qytetarëve”, tha ajo.

Ministrja shton se aktualisht rezervuarët akumulues janë të mbushur në masën 40 për qind, gjë që ajo e konsideron një nivel të mirë për këtë periudhë të vitit.

Kujtojmë se çmimi i dizelit në Maqedoni që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit e deri më tani është rritur për më shumë se 30 denarë për litër, përkatësisht për rreth 43 përqind. Benzinat gjatë së njëjtës periudhë janë shtrenjtuar për gati 20 denarë, ose rreth 26 përqind raporton.

Për krahasim, më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli filluan sulmet ndaj Iranit, çmimi maksimal i Eurosuper BS-95 në vend ishte 73,5 denarë, BS-98 kushtonte 75,5 denarë, ndërsa dizeli 71 denarë për litër.

Ndryshe, sipas një llogaritjeje të re të shportës minimale sindikale të bërë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), një familje me katër anëtarë në Maqedoni ka nevojë për 68.498 denarë në korrik vetëm për të mbuluar nevojat bazë mujore. Nëse familja nuk ka shtëpinë e vet dhe paguan qira për një apartament 60 metra katrorë, shuma e kërkuar rritet në 83,873 denarë.

ÇmimeEkonomia e shtetit - Lajme ekonomiKriza ekonomikeKriza energjetikeMinistria e Energjetikës Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM)Sanja Bozhinovska