Zëvendësdrejtori i Ndërmarrjes Publike „Pyjet Kombëtare“, Kire Mihajlov ka shkruar në Facebook se gjatë ditëve të fundit janë arrestuar drejtori i njësisë „Bor“ në Prilep dhe një punonjëse e njësisë „Babuna“ në Veles. Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, transmeton Portalb.mk.
Mihajlov thekson se, sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ekzistojnë prova dhe indicie serioze se personat e arrestuar kanë shkelur ligjin.
Mihajlov bën të ditur se para disa ditësh është ngritur kallëzim penal edhe ndaj një punonjësi të njësisë në Sveti Nikollë, i cili kishte qenë drejtor gjatë periudhës së qeverisjes së përbërjes së mëparshme politike.
Dëmi vlerësohet në më shumë se 50.000 euro.
„Nuk e di kush dhe sa më beson apo më kupton kur them se drejtësia vlen për të gjithë dhe se nuk ka të mëdhenj e të vegjël, tanët e tuajt. Është e thjeshtë: kushdo që ka shkelur ligjin, do të përgjigjet!“, porositi Mihajlov.