Veturat elektrike: Norvegjia lider botëror, në Bashkimin Evropian në rritje, ndërsa në Maqedoninë e Veriut nën 1%

Norvegjia e ka përqindjen më të lartë të veturave elektrike në botë, ku veturat elektrike përbëjnë rreth 97% të shitjeve të veturave të reja dhe rreth një të tretën e të gjithë flotës së veturave në qarkullim. Në vendet nordike, në gusht gati 70% e veturave të reja ishin elektrike, ndërsa në BE kjo përqindje arriti në 27,7%. Në Maqedoninë e Veriut, megjithatë, veturat elektrike përbëjnë vetëm 0,33% të parkut të automjeteve. Rritje ka edhe në Shqipëri ndërsa në Kosovë deri në fund të vitit 2025 kishte mbi një mijë vetura elektrike, shkruan Portalb.mk.

Të dhënat të cilat i analizoi Portalbi tregojnë dallim të madh mes ritmit të elektrifikimit në vendet nordike dhe BE-së dhe atij në vendet e rajonit.

Rekord në Norvegji, 9 në 10 vetura në vendet nordike ishin elektrike gusht

Në Norvegji, në gusht u regjistruan 13.451 vetura të reja. Pjesa e veturave elektrike arriti rekord prej 98,7%, nga 96,9% në gusht të vitit të kaluar.

Tregu nordik i veturave të reja u rrit me gjithsej 12,2% në gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në Norvegji, Suedi, Danimarkë dhe Finlandë u regjistruan gjithsej 58.414 vetura të reja. Pothuajse 70% e tyre ishin elektrike.

Norvegjia vendosi rekord të ri mujor me 98,7% të veturave të reja elektrike, ndërsa Danimarka arriti rekord prej 85,9%.

Në Finlandë, 51,6% e veturave të reja ishin elektrike, ndërsa Suedia kishte një pjesë prej 45,5% të veturave elektrike.

Vetura elektrike në Norvegji. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Edhe pse veturat elektrike përbëjnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të shitjeve të veturave të reja, dallimet janë ende të mëdha në parkun e përgjithshëm të veturave të pasagjerëve.

Në fund të gushtit, 34,94% e të gjitha veturave të pasagjerëve në Norvegji ishin elektrike. Në Danimarkë kjo pjesë ishte 23,5% në Suedi 9,63% dhe në Finlandë 7,34%.

Më shumë vetura elektrike edhe në BE derisa markat kineze fitojnë terren

Regjistrimet e veturave të reja elektrike u rritën ndjeshëm gjatë muajit gusht edhe në Bashkimin Evropian, në një kohë kur çmimet e karburanteve po rriten dhe pasiguria globale shtohet.

Sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve (ACEA), regjistrimet e veturave elektrike me bateri u rritën me 62,7% krahasuar me një vit më parë.

Veturat elektrike në të gjitha regjistrimet e reja të veturave në BE u rritën nga 17,8 në 27,7% gjatë së njëjtës periudhë.

Veturë elektrike – Tesla. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në totalin për këtë vit deri më tani, veturat elektrike me bateri dhe veturat me benzinë secila përbëjnë nga 21,7% të regjistrimeve.

Grupet e veturave në pronësi kineze po rrisin pjesën e tyre në tregun e BE-së, ndërsa prodhuesit evropianë përballen me konkurrencë të fortë, tarifa amerikane dhe kostot e kalimit drejt veturave elektrike.

Maqedonia e Veriut larg BE-së dhe vendeve nordike

Ndonëse kandidate për në Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut është larg statistikave evropiane dhe atyre nordike sa i takon veturave elektrike.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, veturat elektrike janë rritur 30-fish gjatë dhjetë viteve, por në vitin 2025 përbënin vetëm 0,33% të të gjitha automjeteve, me gjithsej 2.047 makina elektrike.

Mbushja e veturës elektrike. Foto nga Faton Curri – Portalb.mk

Edhe makinat hibride kanë shënuar rritje të madhe. Numri i tyre është rritur nga 1.287 në vitin 2023, në 5.078 në vitin 2024 dhe 7.393 në vitin 2025, duke arritur rreth 1,2% të parkut të automjeteve.

Nëpër rrugët e vendit vazhdojnë të dominojnë automjetet me dizel ndërsa makinat me benzinë janë në rënie.

Rritje dhe në Shqipëri

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, gjatë periudhës janar–korrik 2026, në Shqipëri janë regjistruar 6.396 automjete tërësisht elektrike, shifër kjo që përfaqëson rritje prej 126% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Drejtorisë, automjetet elektrike përbëjnë 40,5% të totalit të automjeteve të reja, me zero kilometra, të regjistruara gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti. Kjo përfaqëson rritje prej 68% krahasuar me periudhën janar–korrik 2025.

Në Shqipëri vlerësohet se në total ka afër 13 mijë vetura elektrike, shumica prej të cilave janë në rrethin e kryeqytetit, Tiranë.

Vetura elektrike. Foto nga Faton Curri – Portalb.mk

Veturat elektrike në Kosovë

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari deri në gusht të vitit 2026 janë importuar 780 vetura elektrike – 615 më shumë sesa gjatë gjithë vitit 2022 kur ishin 165.

Momentalisht Kina e dominon tregun e veturave elektrike në Kosovë, më pas vijnë Gjermania, SHBA-të, Franca, Japonia dhe Koreja e Jugut.

Në fund të vitit 2025 Kosova kishte 1,457 vetura plotësisht elektrike, 50,5 % më shumë se një vit më parë dhe rreth 26 herë më shumë se në fund të vitit 2021.

Bashkimi Evropian (BE)DanimarkaFinlandaKosovaNorvegjiOslloShqipëriaSuediaVetura - Automjet - AutomobilVetura elektrike