Maqedonia, Greqia dhe Shqipëria nënshkruan deklaratë për nominimin e përbashkët të Prespës në UNESCO

Me një nominim të përbashkët për Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Maqedonia, Greqia dhe Shqipëria do të përpiqen ta promovojnë Prespën si një hapësirë të vetme natyrore dhe kulturore, trashëgimia e së cilës i tejkalon kufijtë shtetërorë. Ministrat e kulturës të të tri vendeve, në një takim trepalësh në Greqi, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës konfirmuan angazhimin për mbrojtjen e rajonit dhe për përgatitjen e koordinuar të nominimit të tij, transmeton Portalb.mk.

Dokumentin e nënshkruan ministri i Kulturës dhe Turizmit i Maqedonisë, Sedat Sulejmani, ministrja e Kulturës e Greqisë, Lina Mendoni, dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja.

Sipas Sulejmanit, nominimi i përbashkët duhet të jetë më shumë sesa një përpjekje për të fituar njohje ndërkombëtare. Qëllimi është të krijohet një model afatgjatë dhe i qëndrueshëm i menaxhimit të rajonit, i cili do të sjellë përfitime konkrete edhe për banorët vendas.

“Prespa, nga pikëpamja natyrore dhe historike, ka qenë gjithmonë një tërësi e vetme, edhe pse brigjet e saj ndahen nga tri shtete fqinje. Pikërisht në këtë bukuri komplekse qëndron edhe përgjegjësia jonë: ta shndërrojmë atë në një arsye për bashkëpunim të vazhdueshëm, të koordinuar mirë dhe të orientuar drejt rezultateve”, tha Sulejmani.

Ai theksoi se të tri vendet tashmë kanë një bazë për thellimin e bashkëpunimit përmes projekteve ku përfshihen institucione dhe ekspertë nga rajoni. Ndër to është bashkëpunimi me Qendrën Evropiane për Monumentet Bizantine dhe Postbizantine nga Greqia, në kuadër të të cilit po realizohet konservimi i pikturave murale në kishën „Shën Gjergji“ në Kurbinovë, si dhe aktivitetet me institucionet shqiptare në ishullin Mal Grad.

Si shembull të bashkëpunimit rajonal, ai përmendi edhe projektin „ACT4PRESPA“, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, përmes të cilit nxitet bashkëpunimi për ruajtjen e vlerave të Prespës.

Në takim morën pjesë edhe shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, Mihalis Rokas, drejtuesi i zyrës së UNESCO-s në Sarajevë, pranë Byrosë Rajonale të UNESCO-s në Venecia, Sinisha Sheshum, koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Maqedoni, Rita Kolubia, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal dhe institucioneve nga të tri shtetet.

Liqeni i PrespësMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)UNESKO – UNESCO