Takimi midis ministrave të jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nuk solli ndonjë rezultat konkret sa i përket rrugës së RMV-së drejt Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm i vendit, Timço Mucunski tha se p ozicionet e Shkupit dhe Sofjes mbeten dukshëm larg njëra-tjetrës, ndërsa nga Bullgaria njoftuan se i kanë kërkuar Maqedonisë së Veriut të tregojë se kur planifikon t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, transmeton Portalb.mk.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Mucunski e vlerësoi takimin si konstruktiv dhe me frymë pozitive. Pavarësisht dallimeve ekzistuese në qëndrime, sipas njoftimit, u konfirmua gatishmëria për të vazhduar komunikimin me Bullgarinë.
Ai theksoi se, kur bëhet fjalë për integrimin evropian, ekziston një shkallë e lartë mosbesimi, e cila nga perspektiva e Maqedonisë së Veriut lidhet me “parashikueshmërinë e procesit dhe përvojën e deritanishme me kërkesat dypalëshe”.
“Qëndrimet tona janë absolutisht të qarta. Interes strategjik edhe i Bullgarisë është që ne të ecim përpara në rrugën evropiane. Por ne jemi një vend që ndër vite vazhdimisht është përballur me kërkesa dypalëshe. Kur është mbyllur një çështje dypalëshe, më pas është hapur një tjetër”, theksoi Mucunski.
Mucunski gjithashtu nga Bullgaria e ka konfirmuar vendosmërinë e Maqedonisë së Veriut për ta përmbushur pjesën e saj të detyrimeve dhe, së bashku me Bullgarinë, Shqipërinë dhe partnerët evropianë, të përshpejtojë realizimin e Korridorit 8. Ndërsa ministrat u pajtuan që Korridori 8 duhet të përfundojë deri në vitin 2032.
Nga Ministria e Jashtme Bullgare theksuan se në takimin dypalësh Bullgaria i ka kërkuar Maqedonisë së Veriut të tregojë se kur planifikon t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
“Ministrja Petrova konfirmoi mbështetjen e Bullgarisë për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke respektuar parimin e meritave individuale. Në këtë kontekst, ajo kërkoi informacion për afatin kohor në të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut planifikon t’i përmbushë detyrimet e përcaktuara në Konsensusin Evropian të vitit 2022, të nevojshme që vendi të fillojë negociatat për anëtarësim në BE”, thuhet në njoftimin e MPJ-së bullgare.
Takimi u organizua me kërkesë të palës maqedonase, pasi këtë këshillë ia dha kryeministrit Hristijan Mickoski presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Shkup më 2 tetor.
Ashtu si takimi i sotëm, edhe takimet e mëparshme mes autoriteteve aktuale të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë kanë kaluar pa ndonjë përparim konkret.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan në vitin 2020, kur Sofja vendosi veto ndaj kornizës negociuese të vendit për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare.
Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u gjet një kompromis. Maqedonia e Veriut pranoi që në Preambulën e Kushtetutës, përveç komuniteteve tashmë të përfshira, të shtohet edhe komuniteti bullgar.
Në bazë të këtij kompromisi, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.