RMV, do të kërkohet amnisti e re për të zgjidhur problemin e mbipopullimit në burgje

Drejtori i burgut më të madh në vend, Zoran Jovanovski paralajmëroi në një intervistë për 360 shkallë se, do t’i paraqesin Ministrisë së Drejtësisë propozim për amnisti ose ulje të dënimeve me 10, 15 ose 20 për qind, me qëllim zvogëlimin e numrit të të burgosurve, transmeton Portalb.mk.

“Kemi ndërmend të shpjegojmë se çfarë do të nënkuptonte kjo amnisti ose falje në përqindje prej 10, 15 ose 20 për qind dhe propozimin do t’ia dorëzojmë ministrit, ndërsa më pas le të vendosin autoritetet”, deklaroi Jovanovski.

Ai tha se, gjatë tre viteve të fundit, numri i të dënuarve në burgun e Idrizovës është rritur për rreth 200 persona, gjë që ka shtuar shpenzimet për ushqim, akomodim, energji elektrike dhe ujë. Në të njëjtën kohë, siç thekson ai, çmimet po rriten, ndërsa buxheti i institucionit po zvogëlohet. Edhe pse më parë janë ndërmarrë masa për uljen e mbipopullimit, përfshirë amnistinë dhe lirimin nga vuajtja e dënimeve për gjobat e papaguara të vendosura gjatë pandemisë së COVID-19, efekti i tyre ka qenë afatshkurtër.

Si zgjidhje afatgjatë, drejtori përmend masat alternative, përkatësisht zëvendësimin e dënimeve me burg me punë në dobi të komunitetit, si dhe zbatimin më të gjerë të dënimeve me kusht, kur ekzistojnë kushtet ligjore për këtë.

Përveç mbipopullimit, burgu i Idrizovës përballet edhe me mungesë të personelit dhe të mjeteve financiare. Problem përbën gjithashtu plotësimi i ngadalshëm i vendeve të lira të punës. Jovanovski pranon se, për shkak të mungesës së objekteve dhe personelit të përshtatshëm, procesi i risocializimit të të dënuarve aktualisht është i kufizuar.

“Një numër shumë i vogël njerëzish risocializohen. Pjesa më e madhe hyjnë dhe dalin ashtu siç kanë ardhur, pa u risocializuar sa duhet”, thotë drejtori.

Sipas të dhënave të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, më 7 shtator të këtij viti, në Entin Ndëshkues-Përmirësues (ENP) të Idrizovës ndodheshin 1.296 të dënuar, ndonëse kapaciteti zyrtar i burgut është për 1.187 persona. Nëse merren parasysh edhe të dënuarit që ndodhen me leje, në spital ose janë në arrati, numri i përgjithshëm arrin në 1.467 persona.

AmnistiBurgu i Idrizovës