Dhuna policore ndaj dy të rinjve në Shkup, pritet të sanksionohen policët e përfshirë

Ndërhyrja policore gjatë së cilës u ushtrua dhunë ndaj dy të rinjve, të moshës 21 dhe 23 vjeç, më 7 tetor në Shkup, dyshohet se lidhej me një denoncim të mëparshëm për transport të mundshëm të lëndëve narkotike nga Tetova drejt Shkupit, shkruan TV 21.

Sipas burimeve të kësaj medie, patrulla policore që mori pjesë në ndërhyrje, jozyrtarisht njihej me emrin „Jugosllavia“, për shkak të përbërjes së saj të përzier etnike, përkatësisht kishte zyrtarë policorë me përkatësi etnike maqedonase, shqiptare dhe boshnjake.

Sipas informative deri më tani jozyrtare,pritet të sanksionohen të gjithë zyrtarët policorë që morën pjesë në ndërhyrjen e kontestuar. Hetimi vazhdon, ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme priten informacione shtesë për gjendjen faktike të konstatuar dhe masat e mundshme ndaj zyrtarëve policorë të përfshirë në rast.

Dy të rinjtë, pretendojnë se, u keqtrajtuan brutalisht nga policia. Sipas informacionit, raporti i brendshëm i policisë pohon se të rinjtë ia morën armën një zyrtaru policie, ndërsa, sipas deklaratave të tyre, arma përfundoi në automjetin e tyre pasi policia ua theu xhamin. Ata gjithashtu deklarojnë se policia qëlloi me armë, preu gomat e automjetit të tyre dhe më pas i keqtrajtoi, pasi ua lidhi duart dhe i detyroi të shtriheshin përtokë. Rasti ka nxitur reagime të ashpra politike.

 

Dhunë - DhunaMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)