Bashkimi Evropian po përgatit qasje të re për vendet kandidate, me udhërrëfyes më të qartë dhe afate të përafërta për vendet që konsiderohen më të avancuara në procesin e anëtarësimit. Udhërrëfyes të posaçëm po shqyrtohen për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet jashtë kësaj pakete, bashkë me Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë, Gjeorgjinë dhe Turqinë. Kjo për Shkupin zyrtar është e “palogjikshme”, por jo edhe për BE-në. Presidentja e KE-së, gjatë vizitës në Shkup, bëri të qartë se udhërrëfyesit për anëtarësim aktualisht u referohen shteteve që tashmë kanë avancuar më thellë në negociata dhe hapin e mbyllin kapitujt. Sipas saj, Maqedonia e Veriut duhet të zhbllokojë procesin dhe më pas mund të fillojë edhe përgatitja e udhërrëfyesve për vendin. Kur thuhet zhbllokimin e procesit, nënkuptojmë kapërcimin e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë dhe ndryshimet kushtetuese, raporton Portalb.mk.
“Maqedonia i përket BE-së, negociatat aderuese filluan në vitin 2022 dhe tani ka mbetur vetëm një hap i rëndësishëm. E di se është e ndjeshme, por dua të jem e qartë, ne do t’i dëshirojmë mirëseardhje Maqedonisë me identitetin dhe gjuhën e saj dhe ne jemi shumë serioz në këtë çështje. Përgatiteni, edhe ne përgatitemi sepse zgjerimi është proces i dyanshëm. Prandaj e paraqesim politikën tonë për aderim. Duam të sigurohemi se BE duhet bëhet më i madh dhe të shohim se si ta bëjmë më mirë në esencë Evropën. I nderuar Hristijan, nuk do të futem në detaje, por mund të shihni se ky është një moment i ri në rajon. Ne dëshirojmë që t’i fusim njerëzit e Maqedonisë në BE”, tha Leyen.
Qeveria në Shkup këmbëngul se vendi po zbaton reformat e parashikuara në Agjendën e Reformave dhe se, përmes Planit të Rritjes, po dëshmon se mund të përmbushë kushtet e vendosura nga BE-ja. Këtë e theksoi edhe kryeministri Hristijan Mickoski gjatë konferencës së përbashkët me Leyenin.
Ai theksoi se Maqedonia kërkon proces që të jetë fer dhe i bazuar në rregulla të qarta.
“Ne i kryejmë detyrat tona, zbatojmë reforma që priten nga një vend, ndonjëherë në kohë, ndonjëherë vonohemi, por megjithatë i zbatojmë si vend që dëshiron të futet në BE”, tha Mickoski.
Lidhur me marrëdhëniet me Bullgarinë, Mickoski tha se presin që të jetë e përfshirë edhe BE në këtë proces që të ndihmojë që të gjendet zgjidhje evropiane, që e dakorduara të jetë e qartë, detyrimet të vlejnë për të gjithë, “ndërsa procesi qasës të mos jetë i hapur përsëri për kushtëzim dypalësh”.
“Çdo zgjidhje duhet të japë siguri, e jo hapësirë për kërkesa të reja”, tha Mickoski.
Ai, ditë më parë, e quajti “të palogjikshme” mundësinë që Maqedonia e Veriut të lihet jashtë një procesi të përshpejtuar, duke theksuar pikërisht reformat e zbatuara.
“Supozoj se media po i referohet disa burimeve në Union. Do të duhet ta pyesim BE-në nëse kjo është e vërtetë dhe, nëse po, pse është kështu, duke pasur parasysh se po zbatojmë shumicën e reformave që janë pjesë e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes, dhe kjo ka qenë rasti për dy periudha raportimi radhazi. Dhe nëse në procesin e pranimit në BE kandidatët vlerësohen në bazë të meritës, atëherë për mua është e palogjikshme nëse kjo është e vërtetë. Por së pari duhet të shohim nëse është kështu apo jo. Informacioni im nuk thotë se është kështu”, tha kryeministri para vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Mirëpo BE-ja ose më saktë vetë Vonder Leyeni i dëshmoi kryeministrit se vendi vërtetë nuk bën pjesë në planin e ri për udhërrëfyesit.
“Udhërrëfyesit për anëtarësim aktualisht u referohen shteteve që tashmë kanë avancuar më thellë në negociata dhe hapin e mbyllin kapitujt. Maqedonia e Veriut duhet të zhbllokojë procesin dhe më pas mund të fillojë edhe përgatitja e udhërrëfyesve për vendin”, tha Leyen.
Portalb.mk kërkoi qëndrim nga Ministria e Çështjeve Evropiane, mirëpo deri në publikimin e artikullit nuk kemi marrë përgjigje.
Ndryshe, Agjenda e Reformave dhe procesi i negociatave për anëtarësim nuk janë plotësisht e njëjta gjë. Maqedonia e Veriut mund të përfitojë nga Plani i Rritjes përmes përmbushjes së reformave të përcaktuara, por avancimi në procesin formal të negociatave mbetet i lidhur edhe me detyrimet e dakorduara në kuadër të vendimit të vitit 2022. Komisioni Evropian e konsideron vendin kandidat dhe procesi i negociatave është hapur në konferencën ndërqeveritare të korrikut 2022, ndërsa skriningu i legjislacionit evropian është përfunduar në dhjetor 2023.
Këtu hyn në “lojë” nyja kryesore politike, ndryshimet kushtetuese. Maqedonia e Veriut është zotuar që në Kushtetutë të përfshijë qytetarët që i përkasin popujve të tjerë, përfshirë bullgarët. Ky hap nuk është miratuar ende. Ata mbeten ndër çështjet kryesore që duhet të adresohen për avancimin e procesit. Parlamenti Evropian në qershor 2026 përsëriti se përparimi në negociata varet nga reforma të qëndrueshme dhe të thelluara, përfshirë ndryshimet e nevojshme kushtetuese.
Qeveria mund të tregojë reforma të realizuara dhe rezultate në kuadër të Planit të Rritjes, ndërsa BE-ja i vlerëson veçmas nëse janë plotësuar kushtet që lidhen drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit. Për këtë arsye, fakti që vendi ka përmbushur reforma dhe ka përfituar fonde evropiane nuk do të thotë automatikisht se ka kaluar pengesat që lidhen me negociatat. Komisioni Evropian e përshkruan Maqedoninë e Veriut si vend që ka ndërmarrë hapa reformues dhe ka marrë fonde nga instrumenti i Reformave dhe Rritjes, por statusi i saj në procesin e anëtarësimit mbetet i lidhur me kushtet e përcaktuara.
Këtë madje e theksoi edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ajo tha se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian mund të ecë shumë shpejt nëse zhbllokohen negociatat në mosmarrëveshjen me Bullgarinë. Ajo theksoi se vendi tashmë ka dëshmuar se mund të marrë vendime të guximshme si Marrëveshja e Prespës, dhe në periudhën e kaluar ka bërë edhe reforma të brendshme që i vlerësoi si frymëzuese.
Megjithatë duhet theksuar se edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian për vendin ka evidentuar një listë më të gjerë çështjesh që mbeten të hapura përveç ndryshimeve kushtetuese, përmenden reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, Kodi Penal dhe reforma zgjedhore. Por për të ecur më tej në këtë fazë, duhen ndryshimet kushtetuese, të cilat Shkupi zyrtar nuk e ka ndërmend t’i bëjë.
Përndryshe, në një intervistë për Dojçe Vele (DW), komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha se Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e integrimit gradual të vendeve kandidate në fusha të caktuara edhe para anëtarësimit të plotë në BE, si një mënyrë për t’u ofruar qytetarëve përfitime konkrete gjatë procesit të negociatave. Ajo theksoi se kjo nuk do të zëvendësonte anëtarësimin e plotë, ndërsa si shembuj përmendi përfitimet nga CEPA dhe roaming-un. Për Malin e Zi, Kos tha se vendi është në fazën përfundimtare të procesit dhe mund të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028, nëse procesi vijon sipas planit. Për Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën ajo kërkoi përparim në demokraci, sundimin e ligjit dhe reformat, ndërsa theksoi se mbetet optimiste për zgjerimin dhe se Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina po shënojnë përparim në procesin e integrimit.
Bashkimi Evropian po zhvillon plane veprimi, sipas të cilave katër vendet që janë më pranë anëtarësimit në bllok do të marrin një rrugë të qartë dhe të detajuar drejt anëtarësimit. Në këtë plan nuk bën pjesë Maqedonia e Veriut.
Janë duke u shqyrtuar udhërrëfyes të posaçëm për Malin e Zi, Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë, deklaruan për “Politico” dy zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian që po punojnë për draft-propozimet.
- LEXO: Mickoski: Kurrë më në një proces të ri me Bullgarinë pa parashikueshmëri, BE të jetë e pranishme në bisedimet me Sofjen
- LEXO: Marta Kos: Maqedonia duhet ta përmbushë premtimin dhe t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë
- LEXO: Marta Kos: Vjeshta e zgjerimit, përfitime edhe nga një integrim i pjesshëm