Ligji për Përfaqësim s’ka arritur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, mbetet në labirintet e Qeverisë

Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat ende nuk ka arritur në Kuvend. Këtë për Alsat e konfirmoi edhe kryeparlamentari Afrim Gashi. Ndërkohë, propozimligji mbetet në labirintet e Qeverisë, pa një afat të qartë se kur do të dorëzohet para deputetëve.

“Në lidhje me Propozimligjin për Përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ju informojmë se është miratuar në mbledhje të Qeverisë dhe procedurat qeveritare po zhvillohen pa pengesa. Në momentin kur të paraqitet para deputetëve në Kuvend, opinioni do të informohet”- njoftojnë nga Qeveria.

Nga ana tjetër, BDI-ja, shpreh shqetësime të thella lidhur me përmbajtjen e ligjit dhe vonesat në procedurë. Opozita shqiptare vlerëson se propozimi nuk garanton përfaqësim real, por përkundrazi, sipas saj, rrezikon të rikthejë praktika përjashtuese.

“Ky propozim nuk parashikon kuota etnike, që nënkupton rikthim në realitetin para vitit 2001. Nuk obligon institucionet që të identifikojnë përkatësinë etnike gjatë punësimit apo avancimit, duke e bërë të pamundur matjen reale të përfaqësimit, si dhe nuk përmban dispozita sanksionuese për moszbatim, duke e kthyer ligjin në një deklaratë pa pasoja juridike”- thonë nga BDI.

LSDM nuk komenton propozimligjin. Venko Filipçe, tha se nuk ka parë asnjë version të tij.

“Nuk e kam parë, nuk kam asnjë informacion, asnjë version nuk ka arritur të unë, as version as asgjë, nuk do të komentoja nuk e di çfarë përmban.”- deklaroi numri një i LSDM-së, Venko Filipçe.

Propozimligji për Përfaqësim të Drejtë, vjen pas shfuqizimit të Balancuesit, rreth një vit e gjysmë më parë. Balancuesi ishte mekanizëm për ndjekjen e përfaqësimit në institucione. Pushteti aktual vlerëson se Balancuesi është keqpërdorur dhe se përfaqësimi do të rregullohet më mirë me ligjin e ri.

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ende nuk është dorëzuar për shqyrtim para deputetëve. Kreu i Kuvendit Afrim Gashi njoftoi se sapo të arrijë, do t’i respektojnë afatet e rregullores dhe do ta vendosë në seancë të rregullt plenare. Nuk është e qartë përse zvarritet procedura pasi ligji për përfaqësim, në Qeveri u miratua më 7 prill.

Pushteti nuk tregon nëse ka siguruar badenterin në kuvend pasi ky ligj duhet të miratohet me shumicë të dyfishtë. Opozita shqiptare nuk jep sinjale se do ta mbështesë ligjin. Nga BDI së fundmi paralajmëruan edhe amendamente pasi vlerësojnë se ligji nuk është i plotë derisa nuk ka sanksione për ata që nuk respektojnë ligjin dhe se mungon deklarimi i përkatësisë etnike gjatë punësimeve.

Propozim-Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pretendon rregullimin e përfaqësimit të bashkësive etnike në administratë. Respektimin e përfaqësimit do ta ndjekë Trupi koordinues në kuadër të Qeverisë. Ligji nuk parashikon sanksione për shkelësit e dispozitave, por masa politike të cilat duhet të precizohen përmes akteve nënligjore 6 muaj pas miratimit.

Në vendin tonë gati dy vite nuk kemi zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.

Ligji për përfaqësim të drejtë - BalancuesiPapunësiParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së VeriutTensione etnike