Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ende nuk është dorëzuar për shqyrtim para deputetëve. Kreu i Kuvendit Afrim Gashi njoftoi se sapo të arrijë, do t’i respektojnë afatet e rregullores dhe do ta vendosë në seancë të rregullt plenare. Nuk është e qartë përse zvarritet procedura pasi ligji për përfaqësim, në Qeveri u miratua më 7 prill, raporton Alsat.
“Lidhur me propozim ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ju informojmë se i njëjti është miratuar në seancë qeveritare ndërsa procedurat qeveritare po zhvillohen pa pengesa. Në momentin kur do të gjendet para deputetëve në Kuvend, opinioni do të informohet”, deklaruan nga Qeveria.
– Ligji është miratuar në seancë qeveritare
– Procedurat po zhvillohen pa pengesa
– Do të njoftojmë opinionin kur do të gjendet para deputetëve
Pushteti nuk tregon nëse ka siguruar badenterin në kuvend pasi ky ligj duhet të miratohet me shumicë të dyfishtë. Opozita shqiptare nuk jep sinjale se do ta mbështesë ligjin. Nga BDI së fundmi paralajmëruan edhe amendamente pasi vlerësojnë se ligji nuk është i plotë derisa nuk ka sanksione për ata që nuk respektojnë ligjin dhe se mungon deklarimi i përkatësisë etnike gjatë punësimeve.
Propozim-Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pretendon rregullimin e përfaqësimit të bashkësive etnike në administratë. Respektimin e përfaqësimit do ta ndjekë Trupi koordinues në kuadër të Qeverisë. Ligji nuk parashikon sanksione për shkelësit e dispozitave, por masa politike të cilat duhet të precizohen përmes akteve nënligjore 6 muaj pas miratimit.
Pas miratimit në Qeveri më 7 prill 2026, ligji do të procedohet në Kuvend, ku pritet debat parlamentar.
Në vendin tonë gati dy vite nuk kemi zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.
- LEXO: Ligji i ri për përfaqësim të drejtë në RMV synon meritokracinë, lë “hapur” dritaren për diskriminim
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë ende pa afat, Kasami nuk e di se se kur do të miratohet
- LEXO: Elfete Ismaili: Shqiptarët po mbeten jashtë institucioneve të sigurisë, heshtja e VLEN-it e papranueshme
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë ende jashtë Kuvendit, Qeveria e zvarrit procesin, opozita thotë se s’ka mekanizëm ndëshkues
- LEXO: Mbi një vit e gjysmë pas shfuqizimit të Balancuesit, Qeveria e RMV-së miratoi Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat